Mitaj i “pret drutë shkurt”: Italia ishte më e mirë se ne, ndaj fitoi. Ta shijojmë Europianin

17 Qershor 2024
13:43
Alfred Lleshi
back button

Vijojnë përgatitjet për ndeshjen e dytë në grupin B të “Euro 2024” e kuqezinjve tanë, ndaj Kroacisë. Në konferencën për shttyp, e para pas disfatës 2-1 me Italinë, ka dalë mbrojtësi Mario Mitaj.

Cili mund të jetë heroi shqiptar ndaj Kroacisë?
Besoj se në përgjithësi të gjithë ne mund të luftojmë për të luajtur sa më mirë me kombëtaren. Kemi lojtarë si Broja me cilësitë e tij dhe Asani me goditjet e tij. Të luajmë sa më mirë dhe ta çojmë kombëtaren sa më lart. Mendoj se Broja mund të jetë lojtari që mund t’u bëjë dëm kroatëve. E kemi harruar ndeshjen me Italinë, pavarësisht mërzitjes së mos marrjes së pikëve. Do të futemi në fushë me të njëjtin personalitet. Shpresoj të luajmë më mirë dhe të marrim pikë. Nuk kam emocione kur futem në fushë, mundohem ta shijoj. Sidomos kur luajmë përpara gati 60 mijë tifozëve shqiptarë. Kisha vetëm emocione të mira, aspak stres apo emocione negative.

Sa i druheni Kroacisë?
Ky është grupi i vdekjes, të gjithë kundërshtarët janë të fortë. Kroacia mund të marrë edhe vendin e parë. Të përgatitemi, të analizojmë kundërshtarin dhe të japim më të mirën në fushë.

A mund të menaxhohej më mirë avantazhi i hershëm ndaj Italisë?
Në pjesën e dytë më kanë furnizuar më shumë shokët me pasime. Në pjesën e parë e preka pak topin. Jam një lojtar që më pëlqen ta mbaj topin në këmbë. U habitëm të gjithë, na emocionoi pak goli i shpejtë ndaj Italisë, dhe u kthyem direkt në mbrojtje.

Cila do të jetë e ardhmja juaj, ju ka dalë emri te Lazio?
Tani për tani nuk mendoj për të ardhmen, e kam mendjen vetëm te kombëtarja.

Çfarë ju tha trajneri Sylvinho pas humbjes me Italinë?
Trajneri nuk foli shumë, na tha që kemi bërë paraqitje të mirë. Gjithashtu na tha se duhet të përmirësojme goditjet standarde. Punojmë shumë, por duhet të përmirësohemi edhe më tepër.

 A e keni analizuar golin e Bastonit?
Mund të jetë pak edhe faji im, por mund të jetë pak edhe faji i Seferit. Nuk duhej ta kishim lejuar as si krosim. Duhet të përmirësohemi në stërvitje, të gjithë si skuadër.

Çfarë prisni nga tifozët?
Besoj se do të na përkrahin fuqishëm edhe ndaj Kroacisë, por varet nga ata.

A e mendoni ende kalimin e grupit?
Po përgatitemi për Kroacinë. Duam të futemi në fushë dhe të luajmë futbollin tonë. Ishalla marrim rezultat pozitiv ndaj Kroacisë, më pas vjen Spanja. I dimë cilësitë e Kroacisë, e dimë sa skuadër e fortë është. Do ta analizojmë më shumë taktikisht dhe të vendosim si do të luajmë në fushë. Kroacia i ka të forta të gjithë repartet, besoj se mbrojtjen ka pikën më të fortë.

Shumë kritika ndaj Hysajt…
Nuk është bukur të kritikosh një lojtar që ka kontribuuar aq shumë për kombëtaren. Ai ka dhënë shpirtin për kombëtaren, nuk është kaq gjë e bukur. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Jemi ekip shumë harmonik, do të vazhdojmë kështu. Të vazhdojmë të shijojmë Europianin.

 A ndikoi ngarkesa psikologjike ndaj Italisë?
E kemi respektuar shumë kundërshtarin. Kishim dëshirë të merrnim diçka më tepër. Shpresoj të futemi në fushë me psikologji më të mirë ndaj Kroacisë, të marrim diçka më tepër. Nuk besoj se luajti shumë rol ngarkesa psikologjike, thjesht ata ishin më të mirë se ne dhe fituan ndeshjen.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit