Mjeku historik i Bayernit: Pep më ndërhynte, thoshte se dinte gjithçka më mirë se unë

6 Korrik 2020
13:15
Alfred Lleshi
back button

“Pep Guardiola ndërhynte në çështjet mjekësore te Bayern Munich”. Ky është deklarimi i ish-mjekut të ekipit bavarez, Hans-Wilhelm Muller-Wohlfahrt, i cili thotë se trajneri katalanas mendonte se “dinte gjithçka më mirë sesa unë”. Guardiola u përzgjodh për të zëvendësuar Jupp Heynckes në “Allianz Arena”, verën e vitit 2013, duke trashëguar një skuadër fituese të “tripletës”. Spanjolli tashmë e kishte dëshmuar veten si trajneri më i mirë në Europë, deri në atë kohë, pasi fitoi gjithçka me Barcelonën më të madhe në histori, midis viteve 2008 dhe 2012.

Siç pritej, Bayerni vazhdoi të mbizotërojë skenën vendase, në Gjermani, me Guardiolën në stol, por nuk pati sukses në Europë. 49-vjeçari fitoi shtatë trofe gjatë kohës së tij në “Allianz Arena”, duke përfshirë tre tituj të Bundesligës, përpara se të niste një sfidë të re në Premier League, me Manchester City, në vitin 2016. Muller-Wohlfahrt, për shumë vite kryemjek i ekipit të parë të Bayernit, kujton se ishte i irrituar nga sjellja e Guardiolës, kur vinte puna për të vlerësuar gjendjen fizike të lojtarëve.

77-vjeçari i tha BR24: “U irritova me Pep, sepse thjesht nuk mund ta duroja më faktin që një trainer i ri, i cili ishte shumë i suksesshëm dhe ndoshta një nga më të mëdhenjtë, ndërhynte në çështjet mjekësore. Ai pretendonte se dinte gjithçka më mirë sesa unë”. Muller-Wohlfahrt vazhdoi të zbulojë se, megjithëse jo gjithmonë e ka parë në sy Guardiolën te Bayerni, ende ruan një marrëdhënie të mirë me trajnerin aktual të Manchester City: “Ne u takuam dhe biseduam me njëri-tjetrin, e hodhëm gjithçka pas krahëve. E vlerësojmë njëri-tjetrin. Ai vlerëson punën time, mbi të gjitha. Pep kurrë nuk e vuri në dyshim këtë”.

Bayern Munich siguroi një kurorë të tetë radhazi të Bundesligës, këtë sezon, duke e mbyllur kampionatin me 13 pikë para Borussia Dortmund. Të besuarit e Hansi Flick fituan, gjithashtu, Kupën e Gjermanisë, duke mposhtur Bayer Leverkusen (4-2) në finale, të shtunën. Tashmë ia kanë vënë syrin “tripletës”, nëse vazhdojnë të përparojnë edhe në Ligën e Kampionëve. Para fitores 1-0 të Bayernit ndaj Dortmundit, më 26 maj, Flick përshëndeti Muller-Wohlfahrt për punën e tij: “Unë i jam shumë mirënjohës. Për mua, Muller-Wohlfahrt është mjeku më i mirë që kam njohur ndonjëherë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit