Një gol i Zaccagni në minutën e fundit shtesë e ka komplikuar të ardhmen e Kroacisë në “Euro 2024”. Skuadra ballkanike po fitonte, kur italiani shënoi një gol të mrekullueshëm pikërisht në momentin që ndeshja po përfundonte.
Një gol që vendosi në tabelë rezultatin përfundimtar 1-1 dhe i kualifikoi axurrët në 1/8 finale, si të dytët e grupit, ku bënte pjesë edhe Shqipëria. Ndërkohë, skuadra e drejtuar nga Modric është e treta dhe e ka të vështirë ta kalojë turin si një nga katër më të mirët.
Një kontekst i vështirë që futbollisti madrilen e ka analizuar pas ndeshjes, pasi nëse do të eliminohej nga kompeticioni, kjo ndeshje mund të ishte e fundit e luajtur me Kroacinë. Në fakt, Modric nuk e mohoi këtë mundësi: “Fundi im me kombëtaren? Do ta shohim…”. Për sa iu përket mundësive për ta kaluar turin, ai u shpreh pesimist:
“Është e vështirë për ne të vazhdojmë në garë, asgjë nuk ka shkuar mirë. Është parë tashmë në ndeshjen mes Skocisë dhe Hungarisë, e patë sërish që u ndëshkuam në minutën e 99-të. Njësoj, si ndaj Shqipërisë edhe me Italinë, pësuam në kohën shtesë, kur po fitonim. Futbolli është treguar shumë i keq me ne kësaj here”.
Pothuajse në moshën 39-vjeçare, nuk ka gjasa që Modric të vazhdojë të jetë protagonist në një tjetër Kampionat Europian me Kroacinë: “Nuk e kam vendosur ende se kur do të ndalem. Rezultati ndaj Italisë ishte i padrejtë, mendoj se e merituam të fitonim. Sigurisht, kjo ishte një nga ndeshjet më të pafat të karrierës sime. Është një ditë e trishtuar për kombëtaren kroate dhe për ne lojtarët”.