Sulmuesi egjiptian Mohamed Salah ka lënë të kuptohet se ai mund të qëndrojë në Liverpool këtë verë. Në një mesazh në rrjetet sociale, ai u zotua të bëjë “çdo gjë të mundshme” për të fituar më shumë trofe me këtë fanellë.
Salah është përfolur se mund të largohet nga Liverpool, pasi këtë gjë bëri edhe trajneri Jurgen Klopp, që do t’i lërë vendin Arne Slot. Egjiptiani ka një kontratë që e lidh me “reds” deri në vitin 2025 dhe deri më tani nuk ka shenja për rinovimin e saj.
Al Ittihad ishte përgatitur të paguante më shumë se 100 milionë stërlina verën e kaluar, por Salah nuk donte të transferohej në Arabinë Saudite. Klubet me bazë në Lindjen e Mesme pritet të rikthehen për të këtë verë, por Salah duket se është i uritur për më shumë sukses në Liverpool.
Në rrjetet sociale, Salah shkroi: “Ne e dimë se trofetë janë ato që kanë rëndësi dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që kjo të ndodhë sezonin e ardhshëm. Tifozët tanë e meritojnë atë dhe ne do të luftojmë si të çmendur”.