Faza e 1/8-ave të Euro 2024 do të mbyllet me sfidën mes Austrisë dhe Turqisë, dy skuadra që kanë bërë një paraqitje të mirë deri më tani. Dy ekipe që synojnë të avancojnë më tej në këtë turne, ndaj sot pritet një përballje e fortë në fushë.
Trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, foli për “Sky Sport”, duke u shprehur për këtë sfidë: “Ne e kuptojmë se kemi pësuar një humbje të rëndë në ndeshjen e fundit kundër kësaj skuadre (6-1 në një miqësore në mars). Megjithatë, kjo është një sfidë e re dhe ne ende presim një paraqitje të fortë nga Austria”.
“Ne do të luajmë kartat tona në këtë sfidë. Është e vërtetë që përvoja është e rëndësishme, por ne kemi edhe disa talente të rinj. Ndonjëherë freskia dhe entuziazmi mund të bëjnë ndryshimin”, tha trajneri italian, që s’do të ketë dy lojtarë të rëndësishëm në këtë sfidë.
“Fatkeqësisht, sot do të na duhet të bëjmë pa dy lojtarë kyç si Calhanoglu dhe Samet Akaydin. Kush do t’i zëvendësojë ata? Preferoj të mos e zbuloj”, tha Montella.
Trajneri ndihet krenar që është në këtë turne: “Është një nder i madh të përfaqësosh një komb të jashtëzakonshëm si Turqia. Kjo ndeshje është e rëndësishme për vendin tonë dhe për karrierën time”.