Morata përlot me lamtumirën: Është bukur t’iu tregoj fëmijëve të mi se çfarë do të thotë Juventus

30 Qershor 2022
15:05
Alfred Lleshi
back button

Rrugët e Alvaro Morata dhe Juventusit janë ndarë për herë të dytë në pak vite. Sulmuesi spanjoll kishte ardhur në huazim nga Atletico Madrid për dy sezone dhe klubet nuk mundën të gjenin një marrëveshje për blerje-shitjen e futbollistit të lindur në vitin 1992. Ashtu siç bëri për Paulo Dybala dhe Federico Bernardeschi, klubi bardhezi donte t’i thoshte lamtumirë sulmuesit me një letër të gjatë që është publikuar edhe në rrjetet sociale:

“Lidhja mes Alvaros dhe Juventusit lindi shumë vite më pare. Eksperiencat që jetuam së bashku çuan në dy tituj kampioni, dy Kupa të Italisë dhe një Superkupë Italiane, si dhe rrugën drejt finales së Ligës së Kampionëve, në Berlin, në vitin 2015. Kjo lidhje u bë aq e fortë sa nuk u thye as kur u ndanë rrugët për herë të parë.

Ishte 21 qershor 2016, por ajo përshëndetje që mund të dukej një lamtumirë nuk ishte asgjë më shumë se një mirupafshim. Pra, katër vjet më vonë filloi aventura e dytë e Alvaros me Juventusin. Ne kishim përshëndetur një djalë me të ardhme për t’u shkruar, por një njeri me shumë eksperienca mbi supet e tij u kthye në Torino, gati për të përqafuar një të kaluar të paharruar kurrë, për të jetuar momente të tjera të paharrueshme.

Eksperienca e dytë me Juventusin përfundon me 20 gola ​​në të gjitha garat dhe dy trofe të tjerë të fituar së bashku: Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë. Së fundi, një falenderim për angazhimin e tij në çdo ndeshje në të cilën ka veshur fanellën e Juventusit, për lidhjen që ka krijuar me mjedisin dhe klubin. Suksese në të ardhmen tënde, Alvaro. Dhe faleminderit për gjithçka!”

Alvaro, gjithashtu dëshironte të falënderonte Juventusin për vitet që kaluan së bashku dhe këtë e bëri me një postim shumë emocionues në profilet e tij sociale: “Një nga gjërat më të mira që më ka ndodhur në jetën time ishte që pata mundësinë për të veshur këtë fanellë. Natyrisht, ka edhe më shumë, sepse kam mundësinë t’iu tregoj fëmijëve të mi se çfarë do të thotë “Juventus” si formë jete dhe ata do ta mbajnë gjithmonë këtë në zemrat e tyre”.

Sulmuesi spanjoll, në ditën kur përfundoi huazimin 2-vjeçar nga Atletico Madrid, nuk ka dashur të trajtojë vetëm aspektin sportiv, por mbi të gjitha atë personal, duke iu referuar familjes së tij: “Edoardo ka lindur në Torino dhe jam krenar për këtë.

Faleminderit të gjithë shokëve të skuadrës, stafit dhe drejtorëve, punëtorëve të magazinës, fizioterapistëve, mjekëve dhe të gjithë njerëzve që punojnë në prapaskenë kaq shumë orë për ne… Faleminderit shumë që jeni njerëz të mrekullueshëm!

Ju fansave, faleminderit shumë për mbështetjen dhe një gjë është e qartë: Unë e kam mbrojtur gjithmonë këtë fanellë me të gjitha forcat e mia dhe do të jem gjithmonë një fans i Juventusit. Faleminderit për gjithçka. FINE ALLA FINE”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit