Moratti mes kujtimeve dhe krenarisë: Interi i tripletës ishte më i forti, Inzaghi po shkruan historinë zikaltër

17 Maj 2025
8:45
Alfred Lleshi
back button

Massimo Moratti mbushi 80 vjeç. Duke folur për mikrofonin e “Sky”, ish-presidenti i Interit e ktheu kokën pas: “Imazhi i parë është Kupa e parë e Kampionëve e fituar, me familjen time. Është gjëja e parë që më vjen ndër mend kur mendoj për përvojën futbollistike të familjes sime në futboll”.

Vendimi për të cilin ndiheni ende krenar?
Eh, nuk e di, por ajo që më ka bërë shumë të gëzuar ka qenë blerja e Ronaldos. Një gjë e papritur dhe surprizë. Një gjë tjetër që i ka rezistuar kohës dhe shpresoj të vazhdojë të rezistojë është ‘Inter Campus’, organizatë për fëmijët e varfër në mbarë botën.

Sa shpesh mendoni për Champions-in e fituar me Mourinhon?
Është një mendim i gëzueshëm, më jep kënaqësi. Të shohësh ato imazhe me tifozët që qanin nga lumturia është diçka që duhet të jesh shumë i ftohtë për të mos u prekur. Nuk mendoj se jam i vetmi që mendoj për të ndonjëherë, besoj se ka mbetur në kujtesën e shumë njerëzve.

Cordoba tha së fundmi se Interi i vitit 2010 nuk ishte më i forti, por fitoi. A mund të ketë një paralelizëm me këtë sezon?
Po, le të themi që ajo që po tregon kjo skuadër është karakteri i ndryshëm, i fortë. Është një tipar i veçantë i skuadrës së Inzaghit. Për vitin 2010, nuk jam dakord me Cordoba, ne ishim më të fortët.

A ju kujtohet fitorja e Vjenës, edhe si kujtim për Jair?
Jair kishte një stil loje të veçantë dhe të mrekullueshëm, ishte anësor i rrallë, që nuk gjendet sot në futboll. Mendoj se, duke parë fitoret e Interit, mund të frymëzohesh edhe nga Milito. Ai ishte i jashtëzakonshëm në finalen e Champions-it, në Siena dhe në Kupën e Italisë.

Itali-Gjermani 4-3 e vitit 1970 është një ndeshje mitike, por mund të thuhet e njëjta gjë për Inter-Barcelona 4-3. A shkruhet historia me fitore apo me emocione?
Janë emocionet, ato që të lënë kujtime. Këto ngjashmëri ekzistojnë, gjysmëfinalja e Champions-it është një lloj trampoline. Është momenti kur kupton nëse je i fortë apo jo. Unë kam parë Italinë kundër Brazilit dhe Gjermanisë më 1982, të dyja ndeshje të mrekullueshme, por Itali-Brazil të thyen zemrën.

Helenio Herrera është në historinë e Interit, po Inzaghi?
Besoj se është tashmë. Para së gjithash, është prej disa vitesh tek Interi. Ka fituar kampionatin, ka arritur dy herë në finalen e Champions League. Inzaghi është shumë i mirë, vërtet shumë i mirë.

A mendoni të shkoni në Mynih për finalen ndaj PSG-së?
Jo, për momentin nuk e kam në plane. Pastaj, ku i dihet, ndoshta do të ndodhë.

Moratti feston 80-vjetorin e lindjes, presidenti më i suksesshëm në historinë e Interit

Lajme të tjera

Lajmet e fundit