Moti i keq në Spanjë shkaktoi thuajse kudo dëme të mëdha, duke prekur rëndë edhe Akademinë e tenisit të Rafael Nadal, e pozicionuar në Majorka. Stuhia dëmtoi qendrën dhe përmbyti fushat e tenisit, siç dëshmohet nga postimi në Instagram i profilit zyrtar të Akademisë së kampionit spanjoll të tenisit.
“Stafi i Akademisë dëshironte të falënderojë të gjithë njerëzit që janë solidarizuar në ditët e fundit. Faleminderit të gjithëve për mesazhet tuaja të dashurisë pas shiut të madh. E rëndësishme është që të gjithë jemi mirë. Po punojmë që të kthehemi në jetën normale të Akademisë sa më parë”, thuhet në postim.
Kjo ngjarje solli një solidaritet të madh nga bota e tenisit profesionist. Norvegjezi Casper Ruud, i cili u rrit në këtë Akademi, shprehu mbështetjen e tij, ashtu sikurse edhe ish-tenisti Alex Corretja. Janë të shumtë fëmijët që luajnë dhe stërviten në këto fusha moderne, me shpresën që të bëhen kampionë.
Pamjet e ambienteve të përmbytura kanë bërë xhiron e botës, teksa duket thuajse çdo gjë e dëmtuar: Nga fushat e lojës, si ato të hapura ashtu dhe ato të mbyllura, palestrat e ambientet e jashtme. Kjo ka sjellë një ndalesë të stërvitjes deri në riparimin e fushave të përmbytura.