Motta, gati rotacionet në Champions. Ja tre “senatorët” që kthehen titullarë ndaj Leipzig

1 Tetor 2024
8:22
Alfred Lleshi
back button

Për Juventusin tani është koha të mendojë Ligën e Kampionëve. Në fakt, sot bardhezinjtë do t’i japin dorën e fundit përgatitjeve për Leipzig-un. Thiago Motta dhe lojtarët e tij do të zhvillojnë stërvitje në orën 11:00, në “Continassa”, më pas do të nisen për në Gjermani.

Atje, trajneri dhe një lojtar do të dalin në konferencën për shtyp për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Ka shumë pak gjasa që Timothy Weah të jetë pjesë e ndeshjes në fjalë, pasi dje ka punuar veçmas dhe nuk e ka kapërcyer ndrydhjen e kyçit të këmbës që pësoi javën e kaluar.

Për ndeshjen e Champions League, Thiago Motta mund të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar, krahasuar me atë të ndeshjes së fituar ndaj Genoa. Di Gregorio sigurisht që do të rifillojë vendin e tij mes shtyllave, ndërsa Gatti, pas dy ndeshjeve të kaluara në stol, mund të gjendet në formacionin startues së bashku me Cambiaso dhe Locatelli.

Megjithatë, nuk do të ketë ndryshime në sulm, ku Thiago Motta duket i orientuar drejt konfirmimit të Gonzalez, Koopmeiners, Yildiz dhe Vlahovic. Dyshimi i vetëm për formacionin bardhezi mund të lidhet me atë se kush do t’i bashkohet Locatellit në mes të fushës, ku janë katër emra që konkurrojnë për një fanellë titullari. Thiago Motta, veçanërisht në mesfushë, është i “llastuar” në zgjedhje dhe mund të llogarisë në një repart absolutisht të vlefshëm.

Andrea Cambiaso, ditët e fundit, u takua me tifozët e Juventusit dhe rrëfeu të gjitha emocionet e debutimit të tij në Champions League: “Bukur, shumë bukur. Himni i Ligës së Kampionëve ishte e pabesueshëm, është një gjë shumë e rëndësishme të luash në Ligën e Kampionëve. Ky është kompeticioni më i mirë që ekziston, debutimi ishte shumë emocionues, edhe sepse fituam gjithashtu”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit