“Gazzetta dello Sport” shkruan se Thiago Motta po kalon momentin më të vështirë që nga fillimi i aventurës së tij si trajner i Juventusit. Edhe pas barazimit të fundit kundër Venezia në shtëpi, i cili u shoqërua me protesta nga tifozët bardhezinj, drejtuesit e klubit kanë rikonfirmuar mbështetjen e plotë për trajnerin që e mori drejtimin e skuadrës verën e kaluar, pas periudhës së gjatë të Massimiliano Allegrit.
Projekti i ri i Juventusit ka një periudhë 3-vjeçare, ndaj rezultatet e këtij sezoni nuk do të ndikojnë në këtë bindje. Objekti kryesor është kualifikimi në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, por, edhe në rastin më të keq, që ekipi të mos e arrijë këtë objektiv, Motta pritet të konfirmohet për sezonin e ardhshëm.
Pas përfundimit të ndeshjes kundër Venezia, Thiago Motta komentoi për rendimentin e skuadrës: “A ka një problem me qëndrueshmërinë mentale pas paraqitjeve të mëdha? Jo, nuk është një çështje qëndrueshmërie mentale, mendoj se ka situata krejtësisht të ndryshme mes ndeshjeve të Champions League dhe atyre të kampionatit. Kishim përballë një skuadër pa përgjegjësinë e të kërkuarit rezultat pozitiv. Shfaqëm vështirësi në realizimin e një paraqitje të mirë dhe në arritjen e fitores”.