Motta, krenar pasi mundi Manchester City: Gjithmonë kemi dhënë maksimumin, jo vetëm sonte

12 Dhjetor 2024
8:44
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Juventusit, Thiago Motta, analizoi fitoren 2-0 ndaj Manchester City në një intervistë për “Sky”: “Ne e bëjmë këtë punë për të pasur dhe dhënë emocione. Sot, publiku ynë erdhi me entuziazëm dhe energji, dua t’i falënderoj lojtarët për një ndeshje të shkëlqyer. Gjithmonë kemi luajtur si skuadër, si në momentet e mira, ashtu edhe në ato të vështira. Ishte një fitore e rëndësishme e grupit, e të gjithëve që punojnë në klub. Ditë pas dite po rritemi dhe përmirësohemi së bashku, duke krijuar një grup të fortë. Këta djem na japin gjithmonë kënaqësi të mëdha në fushë”.

Ju nuk e lejuat City-n të përdorë shpejtësinë e vet për të kundërsulmuar…
Manchester City është ekip me një karakteristikë të veçantë dhe specifike. Nuk është një ekip i bazuar shumë në tranzicion, por e luan topin në tokë dhe hap fushën me lojtarët e krahut. E dinim se Doku është shumë i rrezikshëm, por ata gjithashtu pozicionojnë mirë lojtarët midis linjave. Lojtarët tanë bënë një përpjekje të madhe fizike dhe mendore për të qëndruar të bashkuar. Për këtë arsye treguam një performancë të shkëlqyer.

Sonte nuk mungoi kurrë përqendrimi. Përse ka raste që mungon?
Çdo ndeshje është e ndryshme, por kurrë nuk kemi dështuar në aspektin e qëndrimit. Sonte gjithçka shkoi mirë, luajtëm mirë dhe gjetëm hapësira në kundërsulm. Nuk ka lidhje një ndeshje me tjetrën, gjithçka varet nga karakteristikat e kundërshtarit. Lojtarët tanë gjithmonë japin maksimumin. Kur nuk fiton, mund të ndjesh frustrim, kjo është normale, por këta djem e luajnë futbollin siç duhet. Tani duhet të rikuperojmë mirë dhe të mendojmë për ndeshjet e ardhshme.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit