Juventusi është gati ta mbyllë vitin 2024 përballë Fiorentinës, teksa Thiago Motta nuk mund të lejojë gabime të tjera, nëse do të qëndrojë në ndjekje të skuadrave të kreut të renditjes. “Fiorentina është një skuadër e fortë dhe shumë e rrezikshme në kalimet e shpejta, – shpjegoi trajneri bardhezi në konferencën për shtyp. – Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të luajmë një ndeshje të drejtë dhe të balancuar”.
Si ishte java e punës dhe përgatitja për Fiorentinën?
Është një ndeshje e rëndësishme kundër një skuadre të fortë. Ata kanë ardhur pas dy rezultateve jo pozitive, por kishin një seri pozitive. Lojtarët tanë janë mirë, kemi mundur të rikuperojmë disa të lënduar. Jemi të përqendruar, duam të bëjmë një ndeshje të madhe.
A e keni analizuar Fiorentinën?
Ata kanë një trajner të shkëlqyer, shumë të përgatitur. Ai ka mirë te Monza dhe tani e ka nisur mbarë te Fiorentina. Vjollcët kanë lojtarë me kualitet, që dinë të luajnë mirë futboll, veçanërisht kur kanë hapësira. Fiorentina është shumë e rrezikshme në kundërsulm. Për këtë arsye, duhet të bëjmë një ndeshje të kujdesshme, duke u përpjekur të imponojmë lojën tonë dhe të shmangim kalimet e shpejta të tyre.
A keni rikuperuar ndonjë futbollist të dëmtuar?
Douglas Luiz është stërvitur me grupin, Nico Gonzalez do të jetë në dispozicion nesër, gjithashtu edhe Danilo. Koopmeiners është mirë dhe do të jetë me ne. Ndërkohë, duhet të presim ende Rouhi, Weah dhe Milik.
A do të largohet Danilo në merkaton e janarit?
Danilo është në dispozicion dhe, si të tjerët, po mendon për ndeshjen me Fiorentinën. Pastaj do ta shohim, tani nuk është koha për të folur për këtë. Në janar do të hapet merkatoja dhe do të menaxhohet siç duhet. Tani për tani, përqendrimi është i plotë te ndeshja me Fiorentinën, sepse kemi tri pikë të rëndësishme për të marrë në kampionat.
Çfarë po ndodh me Nico Gonzalez?
Në futboll, të gjithë duan të fitojnë, askush nuk hyn në fushë për të humbur. Duhet të bëjmë atë që dimë të bëjmë dhe ta bëjmë mirë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar në fushë. Ato me Fiorentinën janë ndeshje që tifozët tanë i ndjejnë fort, e dimë mirë këtë. Nico ka bërë dy ditë punë të veçantë për shkak se ishte pak i lodhur, kemi preferuar të mos e rrezikojmë. Sot e pashë mirë, por nuk ju them nëse do të luajë nesër nga fillimi. Edhe vetë lojtarët nuk e dinë formacionin.
Çfarë pritshmërish keni për vitin 2025? Cili është objektivi i klasifikimit?
Objektivi është ndeshja e radhës, si gjithmonë. Mund të flitet dhe diskutohet me orë për objektivat afatmesëm dhe afatgjatë, por ka pak rëndësi. E rëndësishme është të bëjmë mirë nesër, të luajmë ndeshjen që na duhet për ta përballuar me sukses Fiorentinën.
Si mund të përmirësohet faza ofensive?
Posedimi nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi, edhe kjo duhet bërë në mënyrën e duhur. Me City fituam duke luajtur siç duhej. Nesër do të jetë një ndeshje ndryshe. E rëndësishme është ta interpretojmë siç duhet lojën. Fiorentina ka cilësi të mëdha dhe është e rrezikshme në kalimet e shpejta, duhet të jemi të kujdesshëm.
Balancimi dhe faza mbrojtëse…
Duhet të kemi gjithmonë balancë dhe intensitet. Kur flasim për fazën mbrojtëse, flasim për 11 lojtarë. E njëjta gjë vlen për fazën ofensive. Duhet të jemi në sintoni dhe të lidhur në fushë. Ndeshjet duhet të interpretohen siç duhet në çdo moment. Duhet të bëjmë më të mirën tonë për të pasur më shumë mundësi suksesi.
Vlahovic, a mund të përmirësohet ende?
Duhet të vazhdojë të punojë siç ka bërë deri tani. Më e rëndësishmja është vazhdimësia. Kjo i shërben atij dhe skuadrës. Skuadrat e nivelit të lartë bëjnë mirë për një kohë të gjatë. E njëjta gjë vlen edhe për lojtarët. Dusan punon mirë çdo ditë dhe nëse vazhdon kështu do të ketë mundësi të rritet shumë.
Po Douglas Luiz?
Besoj dhe shpresoj që niveli i tij të rritet pas kaq kohësh pa luajtur. Është normale që tani nuk është në të njëjtin nivel fizik si shokët e skuadrës. Pozita e tij? Ai ka treguar gjatë viteve që si mesfushor mund të bëjë gjithçka. Është një mesfushor i plotë dhe i nivelit të lartë. Edhe ai duhet të gjejë vazhdimësi.
A prisni diçka nga merkatoja e dimrit?
Unë dua vetëm të bëj një ndeshje të madhe nesër. E gjithë pjesa tjetër do të vijë në momentin e duhur. Me klubin jemi në sintoni, mendojmë vetëm për të mirën e skuadrës. Nëse mund ta përmirësojmë skuadrën, do ta bëjmë. Tani për tani jemi të përqendruar vetëm tek ndeshja me Fiorentinën. Duam të bëjmë një paraqitje të madhe.
Cila është hierarkia e goditjeve të dënimit?
Koopmeiners është i pari në listën e goditjeve të dënimit. Nëse ai shënon pesë nga pesë goditje në stërvitje, duhet të gjuajë ai. Sidoqoftë kemi edhe lojtarë të tjerë që gjuajnë mirë, si Douglas Luiz e Vlahovic. Në fakt, gjithçka vendoset në fushë. Megjithatë, Koop është një specialist i goditjeve të dënimit.