Ndeshjet kundër ekipeve të vogla të Serie A mbeten sfiduese për Juventusin, që doli fitues 2-1 ndaj Monza jo pa vështirësi. “Gjithmonë kemi vuajtur ndaj skuadrave që mbrohen dhe kundërsulmojnë. Do të ishte e rëndësishme të shënonim golin e tretë, – analizoi Thiago Motta pas ndeshjes.
– Mund të kishim dalë në sulm me më shumë cilësi, nuk bëmë siç duhet. Nico Gonzalez si trekuartist? Ai mund të luajë në atë rol, di të lidhet mirë me mesfushorët. Në atë pozicion e shoh mirë, edhe ai vetë është i bindur se mund ta përballojë. Për mua është i rëndësishëm, brenda dhe jashtë fushës. Vlahovic bëri një paraqitje të shkëlqyer”.
Në ndeshjen e radhës, Juventusi do të përballet me Fiorentinën, e më pas vijnë Superkupa Italiane në Arabinë Saudite, sfidat me Torinon, Atalantën, Milanin dhe Brugge. Bardhezinjtë përballen me një muaj janar, që mund të jetë vendimtar për objektivat sezonalë: “Llogaritë bëhen në fund. Ne hyjmë në fushë ndeshje pas ndeshjeje për t’u përballur me çdo kundërshtar në maksimum. Sot, sidoqoftë, ishte e rëndësishme t’i merrnim këto tri pikë”.
Përparimi i ekipit dhe situata e Koopmeiners: “E rëndësishme është ta shohim ekipin në rritje. Për ne do të jetë thelbësore të rikuperojmë lojtarë të rëndësishëm dhe t’u japim pushim të tjerëve. Faza mbrojtëse nuk më shqetëson. Koopmeiners nuk më shqetëson, shpresoj të jetë mirë”.
Trajneri bardhezi, gjatë pushimit të ndeshjes Monza-Juventus kishte zbuluar ekzistencën e një shqetësimi në aduktorin e holandezit.