Trajneri portugez Jose Mourinho dhe ai italian Massimiliano Allegri, të dy pa skuadër momentalisht, mësohet se janë në garë për të drejuar ekipin arab të Al Ittihad. Lajmin e konfirmoi “UOL Esporte”, që tha se klubi i njohur arab po mendon të largojë trajnerin aktual, argjentinasin Marcelo Gallardo.
Skuadra e Al Ittihad vjet u shpall kampione, por këtë vit renditet në vendin e pestë pavarësisht ardhjes së Karim Benzema në sulm dhe Marcelo Gallardo në stol. Titulli tashmë i ka shkuar Al Hilal, por Al Ittihad dëshiron të rikthehet së shpejti të paktën për të luftuar për vendet e para në tabelë.
Për ta bërë këtë, klubi po mendon për një ndryshim në stol dhe drejtuesit sauditë kanë dy ide të forta: José Mourinho dhe Massimiliano Allegri. Trajneri portugez ka qenë i lidhur edhe me Besiktash kohët e fundit, ndërsa Allegri u shkarkua vetëm pak ditë më parë, ndaj pritet që fillimisht të zgjidhë mosmarrëveshjen me Juventus.