“Unë, Suarez dhe Neymar kemi ende një grup në WhatsApp, komunikojmë shpesh”. Lionel Messi flet për miqësinë e tij me dy anëtarët e tjerë të tridentit magjik të Barcelonës (MSN), një prej skuadrave më ikonike në historinë e futbollit.
Për “Infobae”, sulmuesi argjentinas, i cili ndërkohë është transferuar në SHBA, tek Inter Miami, i përgjigjet edhe një pyetjeje tjetër: a është e mundur të shihet sërish ajo treshe përrallore, e kujtuar nga të gjithë si MSN, në Florida?
Suarez tashmë i është bashkuar Messit në Miami, në fakt vetëm Neymar mungon. “La Pulga” nuk beson se është e mundur, të paktën për momentin: “E vërteta është se tani është e vështirë, Neymar luan në Arabi, i ka mbetur edhe një vit nga kontrata e tij, më duket.
Ka pasur një vit të vështirë, ka qenë i dëmtuar për një kohë të gjatë. Ai nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në ‘Copa América’, iu desh të humbasë shumë ndeshje në Ligën Pro Saudite, kështu që tani është e vështirë. Më vonë nuk e di, jeta ka kaq shumë kthesa, gjithçka mund të ndodhë. Sot për sot nuk mendoj se mund të ndodhë”.