Muçi: Kalimi te Besiktas, zgjedhja e duhur. Duhet ta meritojmë ftesën për në finalet e Europianit

18 Mars 2024
12:57
Alfred Lleshi
back button

Nga Polonia në Turqi, transferimi i tij i janarit te Besiktas u konsiderua hap i madh cilësor përpara për Ernest Muçin, sulmuesin e kombëtares kuqezi. Tashmë, në “radarët” e tij është pjesëmarrja në finalet e “Euro 2024”, me konkurrencën në sulm shumë të ashpër.

Sylvinho do të ketë mundësi t’i shohë të gjithë lojtarët e grumbulluar për miqësoret e marsit në seancat stërvitore dhe sfidat ndaj Kilit e Suedisë, ashtu si edhe sulmuesit. Pastaj do të krijojë një bindje më të saktë mbi listën përfundimtare të ekspeditës gjermane, edhe pse do të ketë miqësore të tjera para zyrtarizimit të saj.

Muçi është i fokusuar te dy testet e vështira ndaj Kilit dhe Suedisë, respektivisht më 22 dhe 25 mars. Në konferencën e sotme për shtyp, ai iu përgjigj interesimit të gazetarëve.

Si jeni pritur në Turqi?
Atmosfera që kam gjetur atje është shumë e mirë. Tifozët, stafi, lojtarët më kanë pritur mirë. Jam përshtatur shumë shpejt. Kemi pësuar disa humbje, por shpresoj të rikthehemi te fitoret siç e presin edhe tifozët.

Po atmesfera në kombëtare?
Është shumë e mirë, si gjithmonë. Jemi shumë mirë së bashku, për Europianin nuk kam menduar. Dua të bëj mirë me klubin dhe në këto miqësore, përballë skuadrave të mëdha. Duhet të tregojmë veten që ta meritojmë të shkojmë në finalet e Europianit. Jam gati, por vendos trajneri. Duhet të punoj, ndjehem mirë fizikisht, të tregojmë vlerat tona në këto miqësore.

Sa ju motivon Europiani për t’u angazhuar maksimalisht në klubet respektive?
Këto muaj janë vendimtarë, e mendojmë që do të jemi pjesë e listës, por është zgjedhje e trajnerit. Duhet të vazhdojmë të punojmë me klubet dhe të kemi një motiv ekstra, me Europianin përpara. Jemi gati të bëjmë mirë në këto miqësore, edhe për veten tonë, presim shumë tifozë.

Transferimi i janarit, sa i rrezikshëm ishte?
Nga Polonia te Besiktasi nuk është e lehtë, por nuk u mendova dy herë. Ndjehem mirë dhe besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, dua të tregoj vlerat e mia. Edhe te Legia shkova në janar nga Tirana, nuk e kam problem”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit