Mallorca ka fituar 1-0 ndaj Getafe, në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të në La Liga. Golin e vetëm të takimit e shënoi Vedat Muriqi në minutën e 13-të.
Pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistit të Mojica, Muriqi nuk kishte si të gabonte para portës dhe dërgoi topin në rrjetë. Ky është goli i gjashtë për sulmuesin dardan në këtë sezon në La Liga.
Me golin e shënuar sot, Muriqi ka shkruar emrin e tij me gërma të mëdha në historinë e Mallorca-s, duke u bërë golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e këtij klubi me 40 gola. Vendi i parë mbahet nga Samuel Eto me 54 gola dhe vendi i dytë nga Juan Arango me 45 gola.
Me fitoren e arritur sot, Mallorca shkëputet disi nga fundi dhe renditet në vendin e 15-të me 12 pikë.







