Musiala-Bayern Munich, rinovimi më afër. A do të ndodhë pas Krishtlindjeve? Ja si përgjigjet trekuartisti bavarez

24 Dhjetor 2024
12:19
Alfred Lleshi
back button

14 gola dhe 6 asistime në 22 ndeshje për Bayern Munich, në moshën vetëm 21-vjeçare. Jamal Musiala është talenti më i mirë i futbollit gjerman, së bashku me Florian Wirtz, ndaj bavarezët duan ta “blindojnë”.

Kontrata e trekuartistit skadon më 30 qershor 2026, por prej kohësh kanë filluar diskutimet për rinovimin e saj. I intervistuar nga “Süddeutsche Zeitung”, Musiala u përgjigj vetëm me një fjalë, “shpresoj”, kur u pyet nëse negociatat mund të mbyllen pas Krishtlindjeve.

Musiala kishte deklaruar kohët e fundit: “Për mua është e rëndësishme të ndihem komod dhe të mund të argëtohem në fushë. Duhet të jemi konkurrues si ekip, të synojmë titullin në Bundesliga dhe Ligën e Kampionëve.

Në fund të fundit, këto janë parametrat që do të më shtyjnë të vendos. Dua të lë gjurmë te Bayern Munich. Nëse e zgjas kontratën time, kjo do të jetë kërkesa dhe qëllimi im. Natyrisht, e di edhe se duhet të punoj për këtë”.

Musiala ishte transferuar te Bayern Munich në verën e vitit 2019, ka luajtur për ekipet U-17 dhe U-19. Ai luan për ekipin e parë bavarez që nga viti 2020 dhe ka kaluar shpejt në statusin e titullarit të padiskutueshëm:

“I pyes shpesh ata që më rrethojnë për reagime. Dua këshilla nga trajnerët, madje edhe nga shokët e mi më me përvojë. Flas shpesh me Thomas Müller, ai më thotë të vendosem në pozicionin e duhur, që të mos kem nevojë të bëj asgjë të çmendur për të shënuar. Tani e kam kuptuar mirë çfarë do të thotë kjo”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit