Musiala dhe Bayern Munich në negociata. Rinovimi në tavolinë, me Muller si “këshilltar”

1 Nëntor 2024
8:03
Alfred Lleshi
back button

7 gola dhe 4 asiste në të gjitha kompeticionet, “hat-trick” i tij i parë në karrierë, për ta dërguar Bayern Munich në 1/8 finale të Kupës së Gjermanisë. Jamal Musiala kishte tërhequr tashmë vëmendjen e të gjithëve prej disa kohësh, madje edhe para Kupës së Botës 2022 në Katar, por midis sezonit të kaluar dhe Kampionatit Europian në shtëpi, në verë, ai i mahniti të gjithë.

Edhe pse në moshën vetëm 21-vjeçare, Musiala është një nga 20 perspektivat më të mira në futbollit botëror. Mesfushori sulmues gjerman, i lindur në vitin 2003, ishte në humor të shkëlqyeshëm pas fitores së lehtë të djeshme 4-0 ndaj Mainz 05.

Ai bëri një deklaratë të rëndësishme për rinovimin e mundshëm të kontratës me klubin bavarez (me të cilin është i lidhur me marrëveshje deri më 2026): “Nuk mund të them shumë tani. Është më mirë të mbetemi pak misteriozë”. Fakti mbetet që Musiala ndihet më së miri te Bayerni dhe kur mori çmimin “MOTM”, shtoi për “Sky Sports DE”: “Po, mund ta imagjinoj rinovimin. Jam shumë i lumtur, po flasim”.

Pas ndeshjes së djeshme, edhe Thomas Müller e komentoi situatën e Musiala: “Mendoj se Jamal e di se sa i rëndësishëm është për tifozët, sa shumë e duan ata. Ai është idhull jo vetëm te Bayerni, por në të gjithë Gjermaninë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit