Musiala “ngrin” rinovimin” me bavarezët, “ia shkel syrin” publikisht Barcelonës

19 Dhjetor 2024
8:33
Alfred Lleshi
back button

Jamal Musiala ka dhënë një mesazh të dyfishtë gjatë intervistës për “SportBild”. Nga njëra anë ka deklaruar se nuk ka ndërmend ta rinovojë kontratën me Bayern Munich për momentin, ndërsa nga ana tjetër ka zbuluar se si fëmijë, ekipi i tij i preferuar ka qenë Barcelona, me Lionel Messin si idhull:

“Barcelona ishte ekipi im i referencës, ekipi im i preferuar. Kisha një fanellë të Messit. Mesfusha me Xavin, Iniestën dhe Busquets më magjepste. Mund t’i shikoja ndeshjet e tyre pa pushim”.

Ai shtoi se admirimi për Messin ishte i veçantë: “Në pjesën e pasme të fanellave të mia, kur isha fëmijë, pothuajse gjithmonë ishte emri i Messit”.

Musiala, i cili ka kontratë me Bayernin deri në qershor të vitit 2026, nuk është i gatshëm të rinovojë aktualisht: “Fatkeqësisht, nuk mund t’iu bëj tifozëve një dhuratë për Krishtlindje. Nuk do të ketë asnjë zhvillim në të ardhmen e afërt për rinovimin tim”.

Megjithatë, ai nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë e qëndrimit te gjigantët bavarezë: “Të gjithë parametrat që ndikojnë në këtë vendim të madh duhet të jenë të përshtatshëm për mua”.

Nuk duhet harruar se Musiala debutoi me ekipin e parë të Bayern Munich në sezonin 2020-2021. nën drejtimin e Hansi Flick. Prandaj, futbollisti ka një marrëdhënie të ngushtë me trajnerin aktual të Barcelonës, i cili i dha atij besim kur ishte vetëm 16 vjeç.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit