Nadal rikthehet pas dëmtimit, humbet duelin “show” me Alcaraz: Shijoj çdo sekondë kur luaj me të

4 Mars 2024
12:39
Telesport
back button

Carlos Alcaraz mundi 2-1 (3-6, 6-4, 14-12) Rafael Nadal në një ndeshje “show” tenisi zhvilluar në Las Vegas, një sfidë e quajtur edhe si “Netflix Slam”. Sfida u zhvillua në prani të 12 mijë shikuesve, që shijuan një moment historik në këtë sport.

Një duel që pritej me shumë interes, teksa në fushë rikthehej pas dëmtimit në janar Rafael Nadal. Natyrisht që objektivi i fituesit të 22 grand slam është turneu Masters i Indian Wells, por kjo sfidë dha jo pak informacione për gjendjen e tij.

Ish-numri 1 fitoi setin e parë, por më pas Alcaraz rikuperoi dhe më pas dy tenistët dhuruan spektakël në fushë në setin e tretë. Alcaraz, që gjithashtu pësoi një dëmtim pak javë më parë, duket se e kishte kapërcyar problemin me kaviljen.

Mjaft personazhe “vip” të pranishëm në stadium për të ndjekur këtë event. “Nuk jam ende në nivelin që dëshiroj, por fakti që jam këtu dhe luajta është një lajm i mirë për mua. Ndoshta ky mund të jetë sezoni im i fundit, por s’kam vendosur ende”, tha Nadal.

Kur Nadal fitonte grand slam-in e parë isha dy vjeç, ndaj është një idhull e një pikë referimi për mua. Të luash me të do të thotë të shijosh çdo sekondë të kësaj ndeshje”, u shpreh Alcaraz, që këtë vit nuk e ka nisur fort mirë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit