Nainggolan “rrëfen” Interin e tij: Conte u tregua burrë me mua, të tjerët jo…

15 Janar 2020
9:10
Alfred Lleshi
back button

Aventura e Cagliari në Kupën e Italisë përfundoi mbrëmë. Skuadra kuqeblu, pas katër humbjeve radhazi të pësuara në Serie A, u eliminua nga Interi i shkëlqyer edhe në Kupën e Italisë. Sfida e “San Siro” përfaqësoi mundësinë për ta parë përsëri Radja Nainggolan në Milano. Mesfushori belg, kartoni i të cilit është ende në pronësi të zikaltërve, ishte pikë referimi e tyre gjatë sezonit të kaluar. Më pas, me ardhjen e trajnerit Conte, doli jashtë planeve të tij.

Nainggolan, duke folur pas bilbilit të trefishtë të gjyqtarit, nuk e sqaroi të ardhmen e tij: “Kur huazoheni për një sezon, nuk mund të vendosni të ktheheni nesër. Interi është mirë, unë jam mirë, pastaj do të shohim si do të përfundojë e gjitha kjo. Jam i përqendruar në atë që duhet të bëj. Po zhvilloj një kampionat të rëndësishëm me Cagliari. Po ashtu, jam i lumtur me ato që po bën Interi”.

“San Siro” rezervoi një pritje të rëndësishme për “Ninja”: “Dashuria e fansave është gjithmonë e këndshme, unë jam i lumtur. Kjo do të thotë që kam lënë diçka të mirë këtu”. Nainggolan i pranon vendimet e Interit, pa keqardhje: “Unë nuk e bëj merkaton, as jam trajneri, por futbollist. Besoj te cilësitë e mia, mund të qëndroja tek Interi, por drejtuesit bënë zgjedhje të tjera dhe i pranova. Ky është futbolli. Nëse ata nuk më duan, nuk kam pse qaj. Unë dua të luaj, dua të argëtohem më shumë, prandaj vendimi u mor për të mirën e të dyja palëve”.

Mesfushori sqaroi se nuk ka asgjë për të sqaruar me Antonio Conte: “Unë kurrë nuk kam pasur probleme me Conte. Ai m’i thoshte gjërat në fytyrë, edhe unë bëja të njëjtën gjë gjithmonë. I thoja ato që mendoja. E vlerësoj shumë këtë fakt, kur gjërat thuhen në fytyrë. Ne jemi burra, para së gjithash. Conte u tregua burrë me mua, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për të gjithë. Megjithatë, kjo është jeta”.

Nainggolan ka lënë një Inter që, pas një gjysmësezoni të madh, sot lufton plotësisht për titull: “Kam lënë një dhomë të mirë zhveshjesh, jam sjellë gjithmonë mirë me të gjithë. Për dallim nga sa thuhet, unë kurrë nuk kam krijuar probleme. Jam duke brohoritur për ish-shokët e mi të skuadrës. Nëse titullin do ta fitojë Interi dhe jo Juventusi, do të jem i lumtur”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit