Ndali Liverpool-in, Solskjaer në ekstazë: Na kushtoi 2 pikë, por i detyruam të ndryshonin! VAR? Ishim në anën pozitive

20 Tetor 2019
21:04
back button

Kanë frenuar Liverpoolin kryesues të kalsifikimit, duke marrë një pikë shprese, por kjo nuk duket se i ka mjaftuar trajnerit të Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer. Norvegjezi ka lënë mënjanë modestinë, kur deklaroi se ekipi i tij meritonte fitoren dhe se kishte detyruar kundërshtarin të ndryshonte taktikën.

“Nuk do ta quaj frustrim, por në këndvështrimin e futbollistëve është zhgënjim. Ata ishin të shkëlqyer. Mund të shihet forma fizike dhe atletike që është duke u përmirësuar. Futbollistët ishin të zhgënjyer në dhomat e zhveshjes, çka është një shenjë pozitive. Ata nuk janë të kënaqur me 1 pikë kundër Liverpool. Duht të kishim marrë fitoren dhe 3 pikët”.

“Liverpool është një skuadër e mirë dhe na shtyu pas, por nuk u duk se ata krijuan edhe aq shumë raste. Dukej sikur ne mund të kishim realizuar një gol të dytë. Ai krosim duhej të ishte bllokuar ose larguar. Këto gjëra ndodhin kundër ekipeve të mëdha dhe të kushtojnë, në fakt na kushtoi 2 pikë sot”.

“Ishte një performancë e mirë për të ecur përpara. Agresiviteti, karakteri dhe dëshira ishin fantastike. Po përmirësohemi edhe në presingun e ushtruar ndaj kundërshtarëve. Tifozët ishin të jashtëzakonshëm. Sot duhet lavdëruar edhe arbitri. Lejoi të ishte një derbi. Sot ishim në anën e duhur të vendimeve të VAR. Nuk ishte sikur të mos mund të prekje askënd”.

“Ai goli i Rashford ishte fantastik. Ne u kemi kërkuar Daniel James dhe Marcus Rashford që të vrapojnë dhe të shfrytëzojnë shumë energjitë që kanë. Mendoj se kjo ishte performance e tyre më e mirë në këtë sezon. Mund të themi se është një bonus fakti që detyruam Liverpool-in të ndryshojë taktikën. Kur sheh një ekip që të bëjë diçka ndryshe nga ajo që bën zakonisht, atëherë kupton se ja ke dalë të ekzekutosh si duhet planin”, deklaroi ndër të tjera Solskjaer.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit