Ndalohet të bëhen më gabime, Pioli e di mirë këtë: Duhet ta bëjmë këtë patjetër, edhe me lojë të pistë

28 Janar 2023
11:51
Alfred Lleshi
back button

Ndalohet të bëhen më gabime. Stefano Pioli e di mirë këtë dhe apelon vetëm për një rezultat të mundshëm ndaj Sassuolo-s: “Ne duhet të fitojmë patjetër, kjo është e gjitha që ka rëndësi. Le të fitojmë edhe me lojë të pistë, e rëndësishme është të jemi ekip konkret”. Tatarusanu konfirmohet në portë: “Vasquez po punon, por nuk e shoh ende gati për të luajtur”. De Ketelaere është kandidat për titullar: “Fizikisht është shumë më mirë se në fillim të sezonit, është më i fortë”.

Mbi momentin negativ – “Ne kemi një mundësi nesër. Mendoj se për të kapërcyer këtë moment duhet të jemi sa më kompaktë. Duhet ta kthejmë faqen. Të mendojmë shumë për atë që duhet të kishim bërë nuk na ndihmon. Ne e dimë se mund të bëjmë shumë më mirë. Jemi të lumtur të kthehemi të luajmë përpara tifozëve tanë, që ishin burim frymëzimi në Romë. Ata treguan se janë të bashkuar dhe na mbështesin. Tani është radha jonë, tani gjithçka që ka rëndësi është të fitojmë”.

Problemi psikologjik – “Absolutisht po. Askush nuk duhet të mendojë se lojtarët nuk duan ta kapërcejnë këtë moment, apo se nuk japin 100%. Gjithmonë kam parë vëmendje dhe vullnet të madh. Momenti kapërcehet duke punuar, sepse ne dimë të të bëjmë shumë më mirë se ajo që po bëjmë. Të gjithë lojtarët duhet të ndihen gati. Është hera e parë që nuk fitojmë në 5 ndeshje radhazi, ndaj duhet të jenë të gjithë gati. Kemi luajtur shumë ndeshje, formacionin do ta vendos pas stërvitjes së sotme”.

Merkatoja – “Ne kemi burimet e nevojshme për të dalë nga ky moment. Jemi duke u rikuperuar nga dëmtimet, kështu që ndihemi mirë kështu”.

Mbi tifozët – “Ata nuk kanë nevojë për mesazhin tim. Ata janë gjykues objektivë; shohin cilësitë tona dhe mënyrën tonë të lojës. Ne do të përpiqemi t’i kënaqim”.

Mbi repartin e sulmit – “Tri ndeshjet e fundit kanë qenë negative në përgjithësi. Ne mund të bëjmë shumë gjëra më mirë, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Për momentin është kolektivi ai që duhet të ndihmojë individët dhe jo anasjelltas”.

Mbi Ketelaere – “Ai po bën më mirë se në fillim të sezonit, është sigurisht më i fortë fizikisht. Po flasim për një ‘playmaker’, nëse do të luajë nesër do ta bëjë në atë pozicion. Në ndeshjet e fundit ai nuk ka qenë ndër më të mirët”.

Çfarë duhet rregulluar – “Mendoj se kam ndjeshmërinë e nevojshme për t’i njohur mirë lojtarët e mi dhe për të ditur se çfarë kanë nevojë për t’i stimuluar ata. Sigurisht, nëse lojtarët e mi kanë bërë shumë gabime, kjo do të thotë se unë jam përgjegjësi kryesor. Ditët e fundit janë përpjekur të jenë më të qartë, të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë për të punuar më mirë”.

Rreth Theo Hernandez – “Dje ishte me grupin dhe në fund të stërvitjes e pashë mirë. Nëse vazhdon kështu edhe sot, do të jetë në dispozicion për nesër”.

Calabria dhe Tomori – “Calabria mori një goditje të keqe, por u stërvit me ekipin dhe ai është mirë. Fikayo nuk do të jetë në dispozicion për nesër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit