Ndeshja me Gjeorgjinë, Sylvinho në konferencë: “Ata janë të fortë, por duam 3 pikët”

13 Tetor 2024
17:47
Telesport
back button

Pas ndeshjes me Çekinë, Kombëtarja do të luajë nesër ndeshjen e dytë të muajit tetor ndaj Gjeorgjisë, e vlefshme për Nations League. Në prag të kësaj sfide, trajneri Silvinjo dhe mbrojtësi Ardian Ismajli dolën në konferencën zyrtare për media nga stadiumi ku do të luhet ndeshja, “Mikheil Meskhi”.

Trajneri Silvinjo tha se Shqipërisë i duhet vetëm rezultat pozitiv nesër në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë për të arritur objektivin që është vendi i parë në grup. Trajneri vlerësoi Gjeorgjinë, ndërsa iu rikthye ndeshjes së parë me këtë kundërshtar në Tiranë, komentoi mungesat e Gjeorgjisë dhe foli për skuadrën, ndërsa nuk dha asnjë detaj rreth formacionit që pritet të hedhë nesër në fushë.

Mungesat te Gjeorgjia – Kçorashvili është një lojtar i madh, por themi se janë një ekip i fortë, taktikisht i rreshtuar shumë mirë, ka edhe shumë lojtarë të mirë. Është një ekip i fortë, fizikisht, taktikisht, ka cilësi teknike, nisen në kundërsulm me shumë kualitet. Thuajse gjithmonë shkojnë në portë. Ai është mungesë e rëndësishme se është lojtar i mirë por jam i sigurt se kush shkon në fushë do jetë me 100 km/orë. Nuk ndryshon gjë për ne, është ekip i fortë për t’u mundur, nuk është ekip i thjeshtë.

Formacioni? – Kemi shpenzuar shumë energji në ndeshjen e kualuar. Çekia është një skuadër shumë fizike, bën edhe tranzicion. Ishte një ndeshje shumë e vështirë edhe nesër po ashtu. Në grupin ku ne bëjmë pjesë mund të ndodhë çdo gjë. Nuk e dimë ende për formacionin, kemi bërë një udhëtim të gjatë nga Praga këtu, kemi ardhur vonë në hotel, do ta kuptojmë nesër. Kemi stërvitjen, të flasim me lojtarët dhe nesër kemi një ditë kohë që të vendosim. Ne kemi lojtarë që mund të hyjnë në fushë dhe i besojmë 100%, por zgjedhjen do ta bëjmë nesër”.

A ndiheni në presion para kësaj ndeshje? – Nesër duhet të marrim pikë duke qenë se bëhet e vështirë për ta arritur objektivin. Ne duhet të jetojmë me këtë realitet. E dimë që nëse marrim një rezultat negativ nesër, nuk na shërben për të arritur objektivin që ne kemi. Ne na shërben nesër vetëm fitorja dhe tre pikët. Kemi një mini-avantazh, duke qenë se në nëntor, i luajmë të dyja ndeshjet e fundit të edicionit në shtëpi. Por është shumë e rëndësishme që ne të japim 100% tonë nesër dhe të marrim rezultat pozitiv. Ata janë shumë të fortë, por edhe ne jemi një ekip i fortë.

Fitorja e Gjeorgjisë në Tiranë dhe ndeshja Ukrainë – Gjeorgji? – Që në fillim kam menduar se grupi është shumë i ekuilibruar, ka balancë në grup, do të ndahen shumë pikë nga të gjithë anët, çdo ndeshje do të jetë shumë e vështirë, mund të ndodhë gjithçka. Ndeshja e parë në Tiranë sipas meje ishte një ndeshje 50-50, ndeshje e vështirë taktike dhe fizike. Gjeorgjia është një ekip i madh, Sanjol po bën një punë shumë të mirë prej kohësh, po bën shumë mirë, ka në ekip lojtarë të mëdhenj. E kemi parë ndeshjen, por duhet të mundohemi të bëjmë diçka ndryshe, por po luajmë jashtë, do të jetë e vështirë, të shohim. Më e rëndësishme është të dalim në fushë dhe të bëjmë gjithçka. Ne kemi respekt për Gjeorgjinë, por nuk kemi kohë për të humbur, do të jetë një ndeshje e vështirë. Ndeshjen e Gjeorgjisë me Ukrainën e pashë, ishte 50-50, ndeshje e vështirë. Ukraina ka lojtarë të mirë, por Gjeorgjia bëri mirë. Por në fund është balanca mes të gjithëve, me një gabim pëson gol dhe je i vdekur. Kjo është ajo që ndodhi me Gjeorgjinë. Nesër pres të njëjtën ndeshje, shumë të vështirë, duhet shmangur çdo gabim, por do të jetë shumë e vështirë për këdo.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit