“Ndonjëherë më duket surreale”, Mata ka një mesazh krenarie për Manchester United

5 Qershor 2020
9:27
Alfred Lleshi
back button

Juan Mata ka pranuar se ende nuk i besohet që luan për Manchester United, duke e përshkruar përvojën e tij në një nga klubet kryesore të botës si “surreale”. Spanjolli përfundoi një transferim prej 37 milion £ nga Chelsea te “Djajtë e Kuq” në janar 2014, duke i dhënë fund një eksperience jashtëzakonisht të suksesshme 3-vjeçare në “Stamford Bridge”. 32-vjeçari u bë fitues i Champions-it dhe “FA Cup” me blutë e Londrës, duke u evidentuar si një nga mesfushorët më të mirë në Europë, gjatë kësaj periudhe.

Mata e ka solidarizuar atë reputacion në “Old Trafford”, duke shënuar 48 gola në 249 paraqitje, në të gjitha garat, ndërsa ka shtuar edhe katër trofe të tjerë në koleksionin e tij, duke përfshirë “Europa League” dhe “Carabao Cup”. Fatkeqësisht, Manchester United nuk është më ajo skuadra mbizotëruese e futbollit anglez, që nga largimi i Sir Alex Ferguson. Spanjolli arriti atje në startin e një periudhe zhgënjyese, nën drejtimin e David Moyes. Sidoqoftë, ai është i vetëdijshëm për historinë e madhe të klubit dhe ish-lojtarët, që i ngjitën në maja “Djajtë e Kuq” gjatë mbretërimit të Fergie:

“Ndjenja për të qenë lojtar i Manchester United është me të vërtetë e veçantë dhe pothuajse unike në futboll. Ndonjëherë më duket surreale, teksa zgjohem në mëngjes dhe vesh atë fanellë për t’u stërvitur, luaj me të në një stadium, ku kanë shkëlqyer lojtarë si Eric Cantona, George Best, David Beckham, Ryan Giggs dhe Paul Scholes. Yje që i shikoja nga televizori, veçanërisht atë brez me Beckham, Scholes, Giggs… Tani jam duke luajtur në ekipin e tyre. Jam shumë krenar për këtë”.

Mata është rikthyer në stërvitje me pjesën tjetër të bashkëlojtarëve të tij gjatë javëve të fundit, përpara rifillimit të Premier League më 17 qershor. Skuadra e drejtuar nga Ole Gunnar Solskjaer mban vendin e pestë në renditjen aktuale, tri pikë mbas Chelsea, në garën për ta mbyllur patjetër në “top 4” gjatë 9 ndeshjeve të mbetura.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit