Në Gjermani e bëjnë të kryer; marrëveshje verbale Barça-Lewandowski. Ja detajet e plota

14 Maj 2022
12:50
Alfred Lleshi
back button

Kanali gjerman “Sport 1” e bën fakt të kryer marrëveshjen verbale mes Barcelonës dhe Robert Lewandowski për tri sezone. Sulmuesi polak i Bayern Munich, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2023, do të mbushë 34 vjeç më 21 gusht.

Ai ka marrë vendim që të largohet nga klubi gjerman në fund të këtij sezoni dhe e ka bërë të ditur përmes agjentit të tij, Pini Zahavi, mik i mirë i Joan Laporta. Tani, çdo marrëveshje mes Lewandowskit dhe Barçës, e cila ka konfirmuar interesin, është në duart e klubit bavarez; ta pranojë ose jo.

Bayerni e ka kuptuar se është më mirë për ta negociuar transferimin këtë verë, ndryshe do ta humbasë sulmuesin falas. Megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë që klubi bavarez t’iu ketë komunikuar katalanasve se është i hapur për një negocim të mundshëm.

Vetëm dje, presidenti i Bayernit, Herbert Hainer, ishte i qartë duke garantuar: “Lewandowski ka kontratë deri në vitin 2023 dhe do ta përmbushë atë”.

Për momentin, sulmuesi hesht pa e ditur nëse ndeshja në Wolfsburg do të jetë e fundit e tij me fanellën që filloi ta mbronte në korrik 2014, pasi mbërriti falas nga Borussia Dortmund, me të cilën ka shënuar 343 gola.

Vetë Lewandowski është i vetëdijshëm për kufizimet ekonomike të Barçës, por ende e ka atë në krye të listës së tij të preferencave. Një tjetër gjë është nëse Bayerni hap derën në një moment për shitjen e tij dhe klube të tjera të mëdha evropiane, me më shumë kapacitete financiare, hyjnë në ankand. Atje, Barça do të ishte prapa dhe vetëm vullneti i fortë i polakut mund ta favorizonte.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit