Në Silverstone debuton si pilot edhe Brad Pitt: ja për çfarë bëhet fjalë

6 Korrik 2023
12:08
Telesport
back button

Këtë fundjavë, do të zhvillohet në pistën e Silverstone gara e Çmimit të Madh të Anglisë në Formula 1. Në pistën britanike nuk do të ketë vetëm gara, por do të realizohen edhe skenat e para për xhirimin e filmit “Apex”, ku protagonist është aktori i njohur i Hollyëood, Brad Pitt.

Kështu, në bokse do të jetë edhe një skuadër shtesë, e 11-ta, ajo Apex, ku pilotët janë pikërisht aktorët Brad Pitt dhe Damson Idris, të cilët do të interpretojnë rolet e pilotëve Sonny Hayes e Joshua Pearce. Madje fotot e dy pilotëve janë vendosur në bokse ashtu si 20 fotot e pilotëve zyrtarë të Formula 1.

Jo vetëm kaq, por Brad Pitt do të zbresë normalisht në pistë me makinën e tij në një moment të caktuar të ditës, kur nuk ka prova. Ai do të provojë një makinë të Formula 2 të projektuar nga Mercedes. Në makinën e tij janë montuar disa mikro-kamera 6K, që do të filmojnë gjithçka.

Presidenti i Formula 1, Stefano Domenicali, tha: “Xhirimet do të kryhen në Silverstone dhe do të shihni se do të jetë filmi i parë që do të xhirohet praktikisht përgjatë gjithë fundjavës së garës”. Në rolin e bashkë-producentit është edhe Lewis Hamilton, që do të jetë përgjatë xhirime si konsulent i Brad Pitt.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit