Zlatan Ibrahimoviç “mori më të mirën nga të gjithë, gjatë kohës së tij te Manchester United”, sipas Luke Shaw. Ky i fundit thotë se suedezi kurrë nuk do të toleronte askënd, që “pushonte” në stërvitje. Jose Mourinho e joshi sulmuesin suedez, duke e marrë në “Old Trafford” si transferim të lirë në verën e vitit 2016. Ai u ribashkua me njeriun që e ndihmoi të fitonte titullin e tij të parë në Serie A, me Interin, shtatë vite më parë.
Sulmuesi shënoi 28 gola në të gjitha garat, në sezonin e tij të parë me “Djajtë e Kuq”, shënoi dy herë në fitoren e fundit të Kupës së Ligës, ndaj Southampton, ndërsa i ndihmoi të tijtë edhe në rrugën drejt suksesit në “Europa League”. Fatkeqësisht, 38-vjeçari ishte në gjendje të luante vetëm shtatë ndeshje sezonin në vijim, pasi u dëmtua rëndë. Në mars 2018 ai ndërmori një sfidë të re në MLS, me LA Galaxy.
Shaw kujton se Ibrahimovic ishte i gatshëm për “të vrarë absolutisht këdo që nuk arrinte të jepte maksimumin në fushën e stërvitjes”: “Ai kishte ndikim të madh në dhomën tonë të zhveshjes për shkak të mentalitetit fitues. Ibra ishte i çmendur, ishte ai që na duhej në dhomën e zhveshjes. E shoh ende një futbollist të pabesueshëm, megjithëse pak i vjetër. Ai ende e ruan talentin, bën gjëra të mahnitshme. Bënte shumë shaka, por kur flitej për gjëra serioze, e dinim mirë se çfarë na priste.
Unë mendoj se ishte një fitues i lindur. Edhe në pak lojëra stërvitore, nëse nuk fitonte dhe ti ishe në ekipin e tij, ai do të të vriste, absolutisht. Nëse jeni në ekipin e tij dhe humbni, atëherë zëreni se keni vdekur. Sinqerisht, mund të pyesni këdo në ekip, kjo ishte situata. Të gjithë e donin atë te Manchester United, ishte thjesht zhgënjyese që pësoi atë lëndim të keq”.