Gara për titullin kampion për pilotë këtë sezon do të jetë një përballje e fortë mes Max Verstappen e Lando Norris. I këtij mendimi është një ikonë e këtij sporti si Jacques Villeneuve, kampion bote në Formula 1 në vitin 1997. Madje ai beson se britaniku i McLaren ka më shumë shanse, duke parë situatën aktuale.
“Nëse Lando nuk do të shpallet kampion bote këtë sezon, atëherë do të jetë faji i McLaren dhe jo i pilotit. Ata i ngatërruan gjërat dhe tani ndoshta është tepër vonë për t’u rikuperuar. Gjithçka filloi në Hungari, ku skuadra tregoi dobësi, duke mos i dhënë përparësi Norris ndaj Piastri”, tha Villeneuve.
“Situata aktuale është në favor të Lando, që i duhet gjithnjë të jetë para Max për të fituar titullin. Nuk ka për të qenë e lehtë për të dy, pasi edhe Ferrari e Mercedes do të ndërhyjnë në këtë garë, në favor të njërit apo tjetrit. Max ka përvojën e menaxhimit të situatave të tilla”, tha ish-piloti kanadez.
“Max duhet të shfrytëzojë çdo situatë të dyshimtë që mund të krijohet te McLaren kur do t’u duhet të marrin vendime të diskutueshme. Tani Max e njeh Lando si një kërcënim dhe është mirë që ka konkurrencë të vërtetë. Shpresoj që edhe Perez ta ndihmojë Verstappen, për të parë një fundsezon më të bukur”, tha Villeneuve.