Neuer “shenjtëron” Yamal: Trashëgimtar i denjë i Messit, ylli i dekadës së ardhshme

9 Nëntor 2024
10:01
Alfred Lleshi
back button

Manuel Neuer, portieri i Bayern Munich, është kthyer të flasë për disfatën e hidhur të të tijve në Champions League, ndaj Barcelonës. Kjo humbje ka mbetur si “gjembi në mish” për bavarezët, të cilët gjejnë njëfarë ngushëllimi duke kujtuar se skuadra e Hansi Flick shkoi e fitoi edhe brenda në “Bernabeu”, pasi mposhti ata. Portieri veteran gjerman u shpreh:

“Humbja kundër Barçës ishte e vështirë për t’u tretur nga ne, por i përgëzojmë katalanasit për këtë nivel të performancës. Ata fituan edhe ‘El Clasico’ me 4 gola të tjerë. Kjo dëshmon forcën reale të tyre. Të mposhtësh Bayern Munich dhe Real Madridin brenda një jave nuk është e lehtë, por tregon aftësitë e tyre aktuale.

Përveç kësaj, Barcelona ka një trajner të madh si Hansi Flick. Ata janë një ekip shumë luftarak tani, jo vetëm teknik. Unë i shoh katalanasit si pretendentë të fortë këtë sezon për ta fituar Ligën e Kampionëve. Ajo që po bën Lamine Yamal tani është e ngjashme me atë që Messi bënte dikur. Ajo që po shikoj është pikërisht ajo që ndodhte në të kaluarën me Leon.

Yamal është xhevahiri i dekadës së ardhshme. Jo pa shkak, talentin e ri të Barcelonës, shumë e konsiderojnë si pasardhësin e Messit. Çdo epokë ka yllin e saj dhe shumicën e herëve ky është një lojtar i Barcelonës. Së pari, aty ishte Ronaldinho, pastaj Messi dhe tani Lamine Yamal. Pra, yje pa fund. Yamal do të jetë ylli kryesor i botës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit