Vinicius Junior, ylli i Real Madridit dhe i kombëtares braziliane, ka dhënë një intervistë të gjerë për ‘CBF’. Në të flet për luftën e tij kundër racizmit, duke siguruar që në Spanjë po ndërmerren hapa adekuat për ta eliminuar këtë plagë.
“Është gjithmonë mirë të përmirësohesh dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Luaj në Spanjë, ku kam vuajtur shumë nga racizmi, madje ende vuaj ndonjëherë. Natyrisht, tani vuaj më pak. Me ndihmën e të gjitha klubeve, të gjithë njerëzve, po bëjmë gjithçka për ta luftuar racizmin, – thotë sulmuesi i Real Madridit.
– Është shumë e rëndësishme, sepse në tre muajt e fundit kemi arritur të fusim tre ose katër persona në burg. Pra, ata po paguajnë për krimin që kanë kryer. Ne mund ta zvogëlojmë këtë problem sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse edhe një person që është racist do të ketë frikë nga ligji.
Çdo ndihmë në këtë drejtim është e mirëpritur. Zezakët kanë vuajtur për një kohë të gjatë, duhet të vijë koha që e gjitha kjo të përfundojë. Prandaj FIFA, e cila është një emër shumë i fortë, së bashku me CBF, së bashku me të gjithë lojtarët, janë bërë në një llogore, kundër racizmit. Ta luftojmë këtë gjë skandaloze, të vazhdojmë së bashku, të vendosur dhe të fortë, që në të ardhmen shumë të afërt, fëmijët tanë të kenë një jetë më të mirë.
E di rëndësinë time, por gjithmonë them se ndaj racizmit duhet lufta e të gjithëve. Vetëm unë nuk mund të luftoj kundër gjithçkaje që vuajnë të gjithë zezakët. E di dimensionin tim, e di forcën që kam, ndaj e them me zë të lartë fjalën time ndaj racizmit. Të gjithë ata njerëz që nuk kanë forcë, ose që kanë frikë, jam shumë i lumtur që mund të ndihmoj. Do të qëndroj i vendosur dhe i fortë në këtë luftë, përkrah të gjithë lojtarëve dhe njerëzve që na ndihmojnë”.
Më tej foli për Brazilin dhe Kupën e Botës 2026: “Hapi i parë është të kualifikohemi. Vetëm ata që e kanë përjetuar e dinë se sa bukur është ky kompeticion, por edhe sa i vështirë. Është shumë e këndshme të jesh në këtë mjedis, të jesh në gjendje të përfaqësosh vendin tënd. Dhe nuk po flas për çdo vend, por për Brazilin që e ka fituar pesë herë Botërorin. Duam ta rrisim listën e trofeve që kemi.
Kemi lojtarë me shumë përvojë, të cilët tashmë kanë luajtur në Kupat e Botës. Së bashku me tifozët tanë, me skuadrën, stafin trajner, jam i sigurt se do të arrijmë të përgatitur, çka është gjëja më e rëndësishme për Botërorin e ardhshëm”.
Braziliani tregon çfarë do të thotë të jetosh me presion: “Kam jetuar me presion që kur kam lindur, sepse vij nga një vend shumë i rrezikshëm, ku kam vuajtur shumë. Mbërritja te Flamengo si profesionist ishte gjithashtu një goditje e rëndë. Gjithmonë dua të evoluoj, për të bërë gjëra të mëdha për vendin tonë. Vështirësitë do të vijnë, por siç e thashë, kam kaluar shumë ulje-ngritje. Dua të bëj gjithçka, me të gjithë kolegët e mi, me komitetin teknik dhe të gjithë stafin tonë për ta vendosur Brazilin në krye”.