Nga Librazhdi te emigrimi i vetëm larg familjes dhe lumturia e rigjetur me ëndrrën e madhe të realizuar: përballja me PSG e yjeve!

24 Dhjetor 2024
0:21
Telesport
back button

Futbolli i nivele të larta është sigurisht ai që tërheq sytë e të gjithëve dhe ai që “bën për vete” duke joshur fansat anëmbanë botës, por ka edhe një tjetër futboll, ai i kategorive të ulëta, ai i pasionit, zemrës, sakrificës, optimizmit, besimit, shpresës dhe fatit… Sepse, sot në jetë, të duhet dhe fati. Atë fat që Kevis Gjeci, një futbollist shqiptar i talentuar, nuk e pati gjatë rrugëtimit të tij deri tani. Megjithatë, u desh një short që t’i kthejë gëzimin, që t’i japë kuptim disa pengesave në jetë… Por, do të kthehemi te Kevis Gjeci dhe historia e tij. Më parë, t’iu shpjegojmë se ku ndodhemi!

Mirë se vini në Espaly-Saint-Marcel, një komunë franceze me 3,759 banorë që ndodhet në departamentin e Haute-Loire të rajonit Auvergne-Rhône-Alpes. Aty ku gjithashtu e duan futbollin dhe ku një skuadër FC Espaly-Saint-Marcel ka shkruar historinë e saj sepse përveç se kaloi turin në Kupën e Francës duke mundur Dijon me penallti, tashmë në raundin e 1/16-ve do të presë në shtëpi yjet e PSG, ekipin e miliardave.

Dhe, për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, ndalemi pak te kategoria ku luan Espaly. Championnat National 3, i referuar zakonisht si thjesht National 3 dhe i njohur më parë si Championnat de France Amateur 2, është një kompeticion i ligës franceze në divizionin e pestë të sistemit piramidal francez të futbollit pas Ligue 1, Ligue 2, Championnat National dhe Championnat National 2.

Christian Perbet, president i FC Espaly dhe investuesi kryesor, ai që gjithashtu i dha mundësinë e një stadiumi të thjeshtë dhe modest kësaj komune të vogël (Stade du Viouzou, 1000-1100 vende) ende nuk u beson syve mbi atë që ka ndodhur, sepse pikërisht ky ekip i vogël mundi me penallti Dijon pas 1-1 dhe kaloi në turin tjetër, ku do të gjejë PSG. Askujt sia kishte marrë mendja, ose ndoshta po…

Sepse Kevis Gjeci, një djalë i cili lindi dhe u rrit në Shqipëri dhe gjithashtu ishte pranë ngjitjes në Superligë me Sopotin e Librazhdit, nuk pati fatin në “valixhen” e emigrimit, duke provuar në disa vende si Kroaci, Zvicër e Itali, deri kur në Francë gjeti në këtë komunë të vogël punë dhe futboll, larg familjes.

Aty ku pikërisht FC Espaly dhe presidenti i saj Perbet i dhanë një shans. Një shans që u kthye në histori, sepse pikërisht Kevisi shënoi golin ndaj Dijon. Ai që është lider i ekipit të vogël kuqezi me shume gola dhe paraqitje të mira.

Dhe tani Kevis dhe komuniteti me mbi 3000 vetë ëndërrojnë, sepse të ëndërrosh është bukur edhe nëse nuk luan te ekipet e mëdha. Fundja, për emocionet jetohet. Takim në janar, kur të luhet ndeshja e Kupës ndaj PSG, ndeshja që ishte dhurata e Krishtlindjeve poshtë pemës… E sigurtë është që si Kevin ashtu edhe shokët e tij të ekipit dhe tifozët do të zbaviten, sido që të shkojë fundi.

Nga Anton Cicani 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit