Nga Lukaku tek Immobile dhe Conte…, ja pse Lazio-Inter është për rekord

14 Shkurt 2020
12:39
Alfred Lleshi
back button

Do të jetë një Lazio-Inter që nuk është parë kurrë më parë. Dhe jo vetëm sepse për herë të parë në historinë e kampionatit, në javën e 24-t, dy skuadrat përballen me 107 pikë në total, në llogarinë e përbashkët. Rekordi i kaluar ishte 106 pikë (Napoli-Lazio, në sezonin 2017-2018). Përballë, mbrëmjen e së dielës, në “Olimpico”, do të jetë edhe dy mbrojtjet më të mira të Serie A, secila me nga 20 gola të pësuar. Është e vërtetë që në njërën anë do të jetë portieri Strakosha, ndërsa Conte do të duhet të bëjë akoma pa Handanovic, i cili, pas thyerjes së gishtit të vogël të dorës së majtë, do të bëjë çmos të bëhet gati për në fund të muajit, të luajë ndaj Sampdoria dhe Ludogoretz, të mos mungojë më 1 mars, kundër Juventusit.

Duel bomberash
Shumë duele dhe shkëndija priten në fushë, por dy bomberat respektivë e marrin pjesën kryesore të vëmendjes. Në fakt, Ciro Immobile udhëton në nivele rekord finalizimi. Edhe nëse nuk ka shënuar dot në dy sfidat e fundit, kurrë në këtë sezon nuk ka mbetur thatë për tri ndeshje me radhë. Megjithatë, Interi nuk është kundërshtari ideal për sulmuesin në fjalë. Ngushëllimi vjen nga fakti se ai bën shumë mirë në “Olimpico”. 15 gola i ka shënuar në shtëpi, gjë që e ka bërë vetëm CR7, i huaji tjetër në këtë garë me tre emra. Lukaku është golashënuesi më i mirë në transfertë (12 gola) jo vetëm në Serie A, por në 5 ligat kryesore europiane. Belgu nuk dëshiron të ndalet, për ta vijuar dhe përmirësuar suksesin e Interit larg “San Siro”: në 11 ndeshje, 9 fitore dhe 2 barazime, me 25 gola të shënuar dhe 10 të pësuar.

Tradita dhe Conte
Tradita, gjithashtu, duket se inkurajon zikaltrit, të cilët kanë humbur vetëm njërën nga gjashtë ndeshjet e fundit të Serie A kundër Lazio (5 fitore dhe një barazim). Madje, ato kanë fituar tri sfidat e fundit në “Olimpico”, përfshirë edhe rezultatin 2-3 të nënshkruar nga Vecino që në maj 2018, që e kualifikoi Interin në Ligën e Kampionëve në kurriz të bardhekaltërve. Lazio (18 ndeshje) dhe Interi (16) janë, gjithashtu, dy skuadrat më të pamposhtura në Serie A, këtë sezon. Në Europën e emrave të mëdhenj, vetëm Liverpool ka bërë më mirë në këtë drejtim. Conte si trajner është ende i pamposhtur ndaj Lazio: 5 fitore dhe 2 barazime. Vetëm kundër Udinese (9) dhe Parma (8), trajneri nga Salento numëron më shumë “stola” pa humbje.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit