Marrëveshja që do të sillte Nico Williams në Barcelonë nuk ka dështuar ende. Edhe pse disa thashetheme nga Spanja (në këtë rast “Mundo Deportivo”) kanë garantuar se anësori spanjoll 22-vjeçar, fitues i Kampionatit Europian 2024, do të qëndrojë tek Athletic Bilbao, në realitet e ardhmja e lojtarit me origjinë nga Pamplona është ende plotësisht e hapur dhe e pasigurt.
Videoja ‘sociale’ e realizuar pak kohë më parë nga klubi bask, në të cilën ai thotë se mezi pret të rikthehet për të nisur sezonin e ri me bardhekuqtë, ka përfunduar në qendër të kritikave. Flitet për një detyrim të mundshëm të Athletic ndaj lojtarit për të qëndruar.
Por sipas gazetës “SPORT”, Nico Ëilliams ka vendosur t’i bashkohet Barcelonës këtë verë. Talenti i lindur në vitin 2002 do të dëshironte të bashkohej me shokun e tij të kombëtares, Lamine Yamal, në ekipin Blaugrana. Kjo nuk është e gjitha, sipas gazetës katalanase, drejtori Deco dhe agjenti i lojtarit, Felix Tainta, u takuan në Zaragoza ditët e fundit për të diskutuar kushtet e transferimit.
Për Barçën problemi mbetet gjithmonë i njëjtë: klauzola e lirimit prej 62 milionë eurosh. Megjithatë, presidenti i klubit katalanas, Joan Laporta dhe drejtuesit e tij nuk e lejojnë veten të demoralizohen dhe po punojnë në prapaskenë për të gjetur një mënyrë për ta paguar këtë shumë.
Sipas asaj që “filtron” në mediat spanjolle, gjigantët Blaugrana janë të bindur për mbylljen e marrëveshjes javën e ardhshme. Pas Pau Victor dhe Dani Olmo, Barcelona mund të përfundojë nënshkrimin e tretë të verës.