Nico Williams ishte objektivi numër një i merkatos së Barcelonës verën e kaluar. Megjithatë, anësori sulmues i Athletic Club vendosi të qëndrojë në vendlindjen e tij, ndaj dhe klubi “blaugrana” arritën të transferojnë Dani Olmo.
Nico Williams, zbulimi i Spanjës në kampionatin e fundit Europian, u ndal në temën e merkatos gjjatë një interviste për gazetën spanjolle “El Mundo”. “Në fund, duhet të jetosh me gjithçka që ndodh përreth teje”, tha Nico Williams.
“Kështu funksionojnë gjërat në futboll, me shumë interesa nga ana e tij, nga klubet, mediat, lojtarët. Gjithmonë ka zhurmë rreth emrit tënd nëse bëni mirë. Gjithsesi, kjo nuk ndikon në performancën time. Unë vazhdoj të bëj të njëjtën punë që kam bërë deri tani”, tha 22-vjeçari spanjoll.
Më tej, Williams tha: “Ka qenë një kohë e vështirë ku ndalon të mendosh për shumë skenarë dhe është e vështirë, por kam familje dhe miq të mrekullueshëm që më mbështesin. Dua të mendoj se kjo nuk do të më ndodhë çdo verë”.
Nico Williams tha se do të qëndronte edhe “një vit më shumë”, deklaratë që nuk i gëzoi tifozët e Athletic Club, të cilët e panë si një lamtumirë të shtyrë me vetëm një vit: “Tani nuk mendoj për merkaton”.
“Tifozët janë shumë të lumtur që po qëndroj këtu dhe unë jam shumë i lumtur që jam ende këtu. Bilbao është shtëpia ime, dua të vazhdoj ta shijoj dhe e vërteta është se jam shumë i lumtur”, u shpreh Nico Williams.
“Gjithmonë i kam parë gjërat shumë qartë dhe mendoj se njerëzit e shohin këtë. Mendoj se po bëj shumë mirë dhe po përpiqem ta çoj Athletic në krye të Spanjës dhe Europës. Kjo është gjithçka që ka rëndësi tani”, tha Nico Williams.