Nis “viti zero” te Vllaznia, revolucion total pas mbijetesës në Superligë

8 Maj 2019
13:45
Gentian Spiri

Sezonin e ardhshëm do të shohim shumë fytyra të reja te skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj. Duke nisur nga trajneri e deri në lojtarët që do të hidhen në fushë. Kroati Neven Plantak nuk është më trajner i Vllaznisë, skuadër që vetëm në play out siguroi mbijetesën në Superligë. Po ashtu, janë larguar basketbollistët e huaj që mbërritën në fazën e dytë dhe tashmë skuadra shkodrane pret të mësojë të ardhmen.

Objektivi është ndërtimi i një ekipi pretendent për të ardhmen, që të synojë sërish titullin kampion. Sipas një informacioni që klubi shkodran ka postuar në faqen e tij zyrtare “Facebook”, presidenti Alban Xhaferi dhe stafi i tij kanë nisur nga puna për ndërtimin e ekipit të ri. Për momentin, skuadra po stërvitet nga kapiteni Ervin Bërdica, veterani i skuadrës, i cili pritet të jetë zv.trajner sezonin e ri.

Klubi do të synojë të rikthejë te Vllaznia mjaft basketbollistë shkodranë që luajnë në ekipet e tjera shqiptare dhe më pas të afrojë disa të huaj. Madje synohet edhe krijimi i një akademie basketbolli. Gjithsesi, gjithçka do të bëhet vetëm pasi të mësohet emri i trajnerit të ri.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit