Një e artë dhe një e bronztë, mundja sjell medaljet e para në Mesdhetare

28 Qershor 2022
21:22
Telesport
back button

Mundësi Zelimkhan Abakarov i ka dhuruar mbrëmjen e sotme medaljen e artë Shqipërisë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Ai triumfoi në peshën 65kg, në stilin e lirë, pas fitores 11-0 në finale ndaj egjiptianit Yehia Hafez.

Një paraqitje e shkëlqyer e mundësit rus me nënshtetësi shqiptare, që triumfoi në peshën e tij, duke i dhënë të artën e parë vendit tonë në këto Mesdhetare. Ai shkëlqeu në të gjitha sfidat e zhvilluara përgjatë dy ditëve të këtij turneu.

Në fund të garës, ai është ngjitur në tapet duke valëvitur flamurin kuqezi.

Ndërkohë, në peshën 74kg, mundësi Islam Dudaev fitoi medaljen e bronztë në stilin e lirë. Ai mundi pa problem 8-0 algjerianin Abdelkader Ikkal në sfidën e zhvilluar mbrëmjen e sotme. Një tjetër medalje për ngjyrat kuqezi në këtë turne, me sportin e mundjes që po shkëlqen deri më tani.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit