Do të jetë francezi Francois Letexier gjyqtari që do të gjykojë finalen e Euro 2024 mes Spanjës dhe Anglisë, ndeshje që do të luhet të dielën, mbrëmjen e 14 korrikut në Berlin.
Gjyqtari 35-vjeçar, ndërkombëtar që prej vitit 2017, ka drejtuar 65 ndeshje zyrtare të UEFA-s në karrierën e tij. Në këtë turne ai ka drejtuar tri ndeshje: Danimarkë-Serbi e Kroaci-Shqipëri në fazën e grupeve si dhe Spanjë-Gjeorgji (1/8-at).
Ai ka gjykuar edhe Superkupën e Europës një vit më parë mes Manchester City dhe Seviljes, ndërkohë që do të asistohet nga patriotët e tij Cyril Mugnier dhe Mehdi Rahmouni. Gjyqtar i katërt do të jetë polaku Szymon Marciniak.
Ky i fundit shihej si favorit për finalen, por ka humbur garën me Letexier. UEFA ka zgjedhur edhe gjyqtarët që do të jenë në sallën VAR, tri ekspertë të fushës: Jerome Brisard i Francës, Massimiliano Irrati i Italisë dhe Willy Delajod i Francës.