“Një numër 9 për Arsenal-in?”, Pires: Paratë nuk mungojnë, por si ata nuk ka më

20 Gusht 2024
18:02
Denis Hakanaj
back button

Ish-ylli i Arsenalit, Robert Pires nuk është i sigurt nëse një numër i ri nëntë do t’i ndihmojë Topçinjtë të fitojnë titullin e Premier League këtë sezon.

Pjesa më e madhe e bisedave rreth londinezëve këtë verë ka qenë nëse ata mund të nënshkruajnë një sulmues të ri.

Aktualisht, Kai Havertz po merr përgjegjësinë në krye të sulmit dhe madje gjeti rrjetën në fitoren 2-0 të ekipit të tij ndaj Wolves në ndeshjen e tyre hapëse të kampionatit të shtunën.

Gabriel Jesus, i cili ka pasur probleme në Emirates, është zgjedhja e dytë e Mikel Artetas.

Megjithatë, Pires beson se cilësia e lojtarëve në atë pozicion ka rënë me kalimin e viteve. Si rezultat, ai mendon se Arsenali nuk ka nevojë domosdoshmërish të bëjë një nënshkrim të tillë.

Duke folur në The Obi One Podcast, ai tha:

“Unë nuk e di nëse një numër i ri 9 do t’i ndihmojë ata të fitojnë kampionatin. Kur shikojmë Arsenalin, normalisht do të ishte Gabriel Jesus në atë rol. Por për fat të keq për të dhe Topçinjtë, ai pësoi dëmtime.

“Kështu që Arteta gjeti një zgjidhje të mirë në fund. Ai vendosi Havertz-in si një lloj 9 false dhe ai shënoi shumë gola në fund të sezonit. Kështu që balanca është gjetur për Arteta-n”.

Ai shtoi:

“Por tani është shumë e vështirë të gjesh një numër 9 të mrekullueshëm si Didier Drogba, Samuel Eto’o ose Thierry Henry. Nuk janë paratë për të cilat po flas, është cilësia e lojtarëve tani. Paratë nuk janë asgjë për këto klube të mëdha, por cilësia (nga vitet e mëparshme) nuk mund të krahasohet”.

Gjatë gjithë merkatos, Topçinjtë janë lidhur me sulmues si Ivan Toney, Victor Osimhen dhe Alexander Isak.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit