Të fitosh një Kampionat Europian nuk është e lehtë. Ta fitosh në shtëpi tashmë duket gjë e mallkuar, edhe nëse quhesh Cristino Ronaldo, Matthaus, Gascoigne, Deco, Griezmann, Kane…
Është një tjetër fakt kokëfortë, i sprovuar pas Spanjë-Gjermani, një ndeshje që tashmë është përfshirë në antologjinë e kompeticionit. Rezultatet konfirmojnë se që nga viti 1984, vendi organizator i Europianit nuk e ka fituar kompeticionin. Pra, vazhdon mallkimi i 40 viteve.
Nuk duket si “ushqim për fallxhorët” të mendojmë se Franca në vitin 1984 do ta mbyllte me fitore aleancën e organizatorëve. Në atë finale, në të cilën galët mundën 2-0 Spanjën, na u desh të prisnim pjesën e dytë për të parë golat. I pari erdhi me faullin e Platini, i dyti mbërriti kur Bellone “vulosi” ndeshjen.
Që nga ai moment, kur Franca e të lartpërmendurve Platini, Giresse, Tigana dhe Bossis, ndër figura të tjera, ngriti trofeun, mallkimi i organizatorit i është imponuar gjithçkaje. Nëse mikpritësit i jepet gjithmonë një grup më i madh mundësish, Europiani është bërë për të hedhur në erë parashikimet.
Në vitin 1988 filloi ky mallkim për mikpritësit e Europianit. Gjermania kishte fushën si organizatore, ndërsa Holanda mori lavdinë. Portokallinjtë e kohës së Van Basten, Koeman dhe Gullit eliminuan mikpritësit (2-1), ku bënin pjesë Matthaus dhe Klinsmann, në një ndeshje me aromën e hakmarrjes për Botërorin 1974 dhe pastaj Rusinë në finale. E paharrueshme mbetet gjuajtja e famshme e Van Basten nga ana e zonës, kundër Dasaev.
Në vitin 1992 në Suedi nuk pritej një fitore lokale, pavarësisht potencialit. Aq më pak nga Danimarka. Skuadra daneze u thirr nga plazhi për të zëvendësuar Jugosllavinë, e sanksionuar për luftën ballkanike. Danezët, me Schmeichel dhe Brian Laudrup, por pa Michael Laudrup, bënë një nga surprizat më të mëdha në historinë e Europianit, duke mposhtur Gjermaninë në finale 2-0.
Në vitin 1996 Anglia shpresonte të fitonte sërish, 30 vite pas Kupës së Botës 1966. Me Gascoigne dhe Shearer në krye, anglezët kishin një ekip të aftë për çdo gjë. Ëndrra vdiq në një gjuajtje penalltie, në gjysmëfinale kundër Gjermanisë, në “Wembley”. Gabimi kishte emrin e Southgate, trajnerit aktual të kontestuar. Në finale, Gjermania mundi Çekinë (2-1).
Në vitin 2000, kompeticioni u nda midis Belgjikës dhe Holandës si vende organizatore. Portokallinjtë kishin një kombëtare mesatare, me vëllezërit De Boer, Kluivert etj. Në gjysmëfinale, një penallti i eliminoi ata kundër Italisë, e cila më vonë do t’i nënshtrohej Zidane dhe Francës së Henry në finale.
Në vitin 2004 surpriza ishte e madhe. Portugalia kishte përgatitur gjithçka për të arritur një fitore të madhe për kombëtaren e saj. Skuadra portugeze dukej e frikshme me Figo, Deco, Carvalho dhe një talent të ri që po rritej shumë shpejt, Cristiano Ronaldo. Greqia, pa magjepsje, i mundi në fazën e grupeve portugezët, pastaj edhe në finale. Një rezultat i papritur me gol të Charisteas shpërbleu futbollin mbrojtës grek, nën drejtimin e gjermanit Rehhagel.
Në vitin 2008, Europiani u zhvillua në Austri dhe Zvicër. Dy organizatorët nuk ishin në listën e favoritëve. Në rreshtin e parë nuk u shfaq as kampioni i mëvonshëm, Spanja, e cila nën drejtimin e Luis Aragonés mundi Gjermaninë në finale me golin e Fernando Torres.
Në vitin 2012, me Spanjën e instaluar në podiumin botëror të futbollit, Europiani shkoi në Poloni dhe Ukrainë. Parashikimi u realizua dhe lojtarët e Del Bosque nuk iu dhanë asnjë mundësi rivalëve të tyre. Në finale, në stadiumin olimpik të Kievit, Spanja fitoi 4-0 ndaj Italisë.
Në vitin 2016, Franca mund ta përsëriste titullin e arritur më 1984. “Gjelat”, me lojtarë si Griezmann, Pogba, Kante dhe Giroud, synonin lart. Në finalen e luajtur në “Saint-Denis”, transaplinët i priste Portugalia e drejtuar nga Cristiano Ronaldo, i dëmtuar në minutat e para të ndeshjes. Në kohën shtesë, një goditje befasuese e Eder nga jashtë zone zhbllokoi rezultatin. Një tjetër surprizë e hidhur për organizatorët e kompeticionit.
Në vitin 2020, kompeticioni u shty një vit për shkak të pandemisë. Europiani u mbajt në vitin 2021 në vende të ndryshme evropiane, deri në fazën përfundimtare, me finalen e luajtur në Angli. Kombëtarja vendase u shfaq edhe një herë me shanse suksesi. Kështu ndodhi deri në finale. Ndeshja Angli-Itali në “Wembley” u mbyll 1-1, ndaj shkoi me penallti. Gabimet e Rashford dhe Saka e bënë Italinë kampione, me hero Donnarumma.
Goli i Mikel Merinos “vulosi” një tjetër pengesë 4-vjeçare mes organizatorit dhe titullit kampion. Europianët janë të tillë, mallkim për vendet që i organizojnë. Katër dekadat e fundit e dëshmojnë qartërisht këtë gjë.