Nuk e ka arbitruar kurrë Real Madridin, njihuni me kryesorin e finales së sotme të Champions-it

1 Qershor 2024
14:05
Alfred Lleshi
back button

Slavko Vincic, 44 vjeç, do të jetë arbitri i finales së Champions League mes Real Madridit dhe Borussia Dortmundit. Gjyqtari slloven tashmë e ka arbitruar BVB në ndeshjen e dytë çerekfinale kundër Atletico Madridit, me skuadrën gjermane që siguroi kalimin në gjysmëfinale falë fitores totale 4-2.

Në fazën e eliminimit direkt, ai ka gjykuar edhe Bayern Munich-Lazio, ndeshja e kthimit e 1/8 finale, e mbyllur me fitoren 3-0 të gjermanëve. Në total, arbitri slloven mori përgjegjësinë për 5 ndeshje të Ligës së Kampionëve këtë sezon, në 4 prej të cilave shfaqën skuadra italiane në fushë. Vincic, nga ana tjetër, nuk e ka arbitruar kurrë Real Madridin në karrierën e tij.

Vincic filloi të arbitronte në vitin 2007 dhe u bë “bilbil” ndërkombëtar më 2010. Ai mori pjesë në Kampionatin Evropian 2012 dhe 2016 si arbitër i portës. Slloveni u thirr nga UEFA si arbitër për Kampionatin Evropian 2024, pasi kishte arbitruar tashmë 3 ndeshje në “Euro 2021”, duke përfshirë çerekfinalen Belgjikë-Itali.

Më 28 maj 2020 është përfshirë, kundër vullnetit të tij dhe pa asnjë përgjegjësi, në një aferë seksi, droge dhe armësh. Vincic kishte “fajin” e vetëm se u gjend në vendin dhe kohën e gabuar, duke pranuar një ftesë për drekë, që në retrospektivë do të ishte më mirë ta kishte refuzuar.

Gjyqtari ishte në një lokal ferme në Bjeljina, Bosnjë dhe Hercegovinë, kur policia bastisi dhe arrestoi rreth 30 persona, duke përfshirë edhe sllovenin. Pasi u mor dëshmia e tij, arbitri u lirua menjëherë nga hetuesit, të cilët e konsideruan atë krejtësisht të palidhur me faktet.

Dy asistentët Tomaž Klančnik dhe Andraž Kovačič do të ndihmojnë gjyqtarin Slavko Vincic, ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë francezi François Letexier. Mes stafit të arbitrave do të jetë edhe italiani Massimiliano Irrati, me rolin e asistentit të VAR-it.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit