“Nuk e keni idenë sesi është Klose si trajner. Ishte gati të më vriste nëse nuk mbroja”

28 Nëntor 2024
18:44
Telesport
back button

Një nga mentorët e suksesit të talentit Jamal Musiala në futbollin europian është legjenda e futbollit gjerman, Miroslav Klose, ish-kampion bote me Gjermaninë dhe rekordmen për golat në Kupën e Botës.

Ai ka luajtur nën drejtimin e tij për katër muaj kur ishte pjesë e skuadrës së të rinjve të Bayern. Pas debutimit me U17 më 31 gusht 2019, Musiala kaloi në skuadrën U19 në dhjetor të atij viti, ku luajti 12 ndeshje.

Në qershor 2020, ai më pas kaloi në skuadrën U23, për të debutuar në vazhdim me skuadrën e parë të Bayern, ku edhe u bë lojtar kryesor i saj, aq sa Bayern po mendon ta bëjë më të paguarin në Mynih, me pagë bruto 25 mln euro në vit.

Në një intervistë të fundit, Musiala ka shpjeguar sesa ndikim ka patur Klose në zhvillimin e tij si futbollit. “Klose më ka bërë lojtar më të plotë. Kemi patur një marrëdhënie të shkëlqyer. Pa të, nuk do ta bëja kaq shpejt kapërcimin në skuadrën e parë të Bayern”.

“Klose ka luajtur gjithmonë si sulmues, por nuk e keni idenë sesa rëndësi i jepte mbrojtjes. Kur nuk punoja sa duhej mbrapa, nuk e imagjinoni dot se sa më bërtiste. Ishte gati të më vriste në fushë nëse nuk mbështesja skuadrën”.

“Nuk ka treguar mëshirë asnjëherë. Asokohe isha ende i ri dhe nuk i kuptoja gjërat. Doja vetëm të sulmoja, por ai më përshtati dhe më mësoi sesi të mbroja. Më duhet ta pranoj, nganjëherë ishte e mërzitshme, por këmbëngulja e tij më bëri ky që jam sot”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit