Nuk ka fitues në derbin e madh të kryeqytetit, Partizani dhe Tirana si “lojë shahu”…

21 Shtator 2024
21:58
Alfred Lleshi
back button

Derbi i parë i madh sezonal i kryeqytetit, i 174-ti në histori, luajtur sonte në “Arena Kombëtare”, ka përfunduar pa gola. Partizani dhe Tirana kanë ndarë nga një pikë, edhe pse janë munduar shumë të fitonin në prani të dy tifozërive të zjarrta. Loja ka qenë e zjarrtë, me dëshirë të madhe, por edhe kujdes të veçantë për të mos pësuar gol.

Rastet, megjithatë, nuk kanë munguar në të dyja portat respektive, ku Qirko ka bërë shpëtimtarin, sidomos në pjesën e parë. Fjalë të mira duhen thënë edhe për bardheblutë, sidomos lojtarët e huaj, të cilin e luanin për herë të parë një derbi të tillë, pa ia ditur rëndësinë ndoshta sa duhet.

Veç lojtarëve në fushë, u duk qartë se ky ballafaqim ishte edhe një “lojë shahu” mes Veselenovic dhe Shkëmbit. Dy trajnerët kishin dhënë detyra strikte për skuadrat, mjaft mirë të vendosura në fushë, duke mbyllur çdo hapësirë për kundërshtarin.

Mund të jetë një imazh i 2 persona, persona që luajnë futboll, njerëz që luajnë futboll dhe teksti

Pjesa e dytë ishte më ngulmuese për Tiranën, me sulmuesin Abah që pati disa mundësi të mira, por çaloi në finalizim. Zëvendësimet e kryera synuan freskimin e skuadrave, por mënyra e lojës mbeti e njëjta, me dyluftime të forta, markim të rreptë të kundërshtarit nga afër dhe pak rreziqe në portat respektive.

Edhe në ato raste të krijuara, dy portierët treguan se ishin në lartësinë e detyrës. Të kuqtë synonin fitoren pas ndalesave radhazi në kampionat, ndërsa për bardheblutë kjo sfidë vinte pas 5 barazimesh radhazi. As njëra dhe as tjetra nuk morën maksimumin, atë që donin, sepse triumfoi frika në këtë derbi.

Trajneri Veselinovic kishte bërë ndryshime në rreshtim, duke kthyer në formacion emra si Preka, Buxhelaj (u dëmtua dhe u zëvendësua nga Zguro), Taipi dhe Bintsuka nga minuta e parë. Ndërsa Shkëmbi ia besoi përsëri fazën ofensive startuese Abah dhe Zharmunit.

Duhet evidentuar fakti se Tirana nuk fiton një derbi ndaj të kuqve që nga tetori i vitit 2022. E thënë ndryshe, ka 8 ndeshje radhazi, përfshirë të mbrëmjes së sotme, pa fitore: 5 humbje dhe 3 barazime.

Standings provided by Sofascore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit