Bayer Leverkusen i pamposhtur i Xabi Alonso u shemb në momentin kur nuk duhej. Kampionët e rinj të Gjermanisë u shkatërruan nga Atalanta e shkëlqyer e Gian Piero Gasperini, e cila fitoi në Dublin një “Europa League” historike. Këto janë deklaratat e trajnerit spanjoll për “TNT Sports”:
“Ne nuk arritëm të përballonim shumë situata të vështira, edhe pse ishim përgatitur për to. E dinim se përballja me Atalantën kërkonte një përpjekje të madhe. Nuk ishim në gjendje të krijonim situata që mund të na jepnin përparësi, nuk ditëm të vepronim me topin dhe të krijonim hapësira. Kjo nuk duhej të ndodhte.
Atalanta është një ekip shumë i guximshëm, nuk i ka problem duelet një kundër një. Kur kishim ndonjë shans të vogël në fushë të hapur, italianët mbroheshin shumë mirë. Nuk është diçka që e bënë këtë vit, ata e kanë bërë për shumë vite. Normalisht, loja jonë na garanton të gjejmë pozicionet më të mira, por sonte nuk arritëm ta bënim këtë”.
Kësisoji, skuadra e tij e humbi nofkën “Neverlusen” pas 51 ndeshjesh radhazi pa humbje, duke u dorëzuar në një nga mbrëmjet më të rëndësishme të sezonit. Në finalen e Dublinit, kampionët gjermanë u “asfaltuan” nga Atalanta. Në çdo zonë të fushës, bergamaskët ishin superiorë ndaj Bayer Leveruksenit, që përjetoi një mbrëmje për t’u harruar në sezonin e përsosur.
“Xabi Alonso nuk e kuptoi ndeshjen dhe nuk mundi ta shpëtonte Bayer-in nga fatkeqësia, duke u tejkaluar nga Gasperini, i cili në vend të kësaj prodhoi një kryevepër”, – shkruan “Gazzetta dello Sport”, duke e vlerësuar më notën 4.