Trajneri i Spanjës, Luis de La Fuente, është i sigurt për shanset e skuadrës së tij pas fillimit të tyre të shkëlqyer në Euro 2024.
La Roja i ka fituar të dyja ndeshjet e tyre deri më tani dhe ka siguruar kalimin e grupit. Në ndeshjen e fundit në grup do të ndeshen me Shqipërinë.
De La Fuente është krenar për paraqitjet e lojtarëve të tij në dy ndeshjet e para dhe beson se asnjë skuadër nuk është më e mirë se e tija.
Ai është gjithashtu i kënaqur të shohë skuadrën e tij të bëhet favorite për titullin në sytë e tifozëve, siç tha në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes me Shqipërinë:
“Nuk ka njeri më të mirë se ne dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë me këtë bindje. Më pëlqen fakti që njerëzit kanë filluar të mendojnë se ne mund ta fitojmë atë, por ne duhet të qëndrojmë të lumtur, të qetë dhe lojtarët duhet të shijojnë atë që bëjnë më së miri – të luajnë futboll dhe të vazhdojnë të rriten”.