Kylian Mbappé udhëhoqi Real Madrid në fitoren 3-0 ndaj Legane në kampionat. Sulmuesi francez ishte autori i golit të parë, që fshiu ngërçin në fund të pjesës së parë, duke përfituar nga një asist i Vinicius.
“E dinim rëndësinë e ndeshjes, duhej të fitonim pas barazimit të Barcelonës një ditë më parë. E nisëm mirë dhe luajtëm me një ose dy pasime. Pastaj bëmë mirë që shënuam edhe dy gola të tjerë”, tha Mbappe.
“Kam luajtur në një pozicion ndryshe nga herët e tjera, por mund të luaj në të gjitha rolet. Në ndeshjen tjetër ndoshta do të luaj në një tjetër pozicion. Jam gati të luaj në të djathtë, në qendër, në të majtë. Nuk ka ëndësi, dua të shënoj shumë gola”, tha Mbappe.
Duke folur për dy javët pushim që kaloi, pasi nuk u grumbullua në kombëtare, ai shtoi: “Kalova mirë. Është mirë për mua të stërvitem me djemtë e Castillas, nuk i kam njohur dhe ata kanë shumë cilësi. Jam mirë fizikisht, jam gati të ndihmoj skuadrën“.
Në fund u shpreh edhe për marrëdhënien me Vinicius: “Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Vinin, ai është një lojtar i madh, si të gjithë. Më të mirët janë këtu dhe ne jemi gati të fitojmë shumë ndeshje dhe tituj“.