“Nuk kthehem te Real Madrid pasi s’më ka telefonuar kush, ata duhet të investojnë te lojtarët e rinj”

13 Nëntor 2024
11:43
Telesport
back button

Nacho Fernandez nuk do të kthehet në Real Madrid. Mbrojtësi spanjoll u largua nga “los blancos” në verë për të luajtur me Al Qadsiah, skuadër që luan në ligën saudite. Ai nuk ka ndërmend të rikthehet, pavarësisht se skuadra e Carlo Ancelotti ka lëndime të shumta.

I intervistuar nga “Radio COPE”, 34-vjeçari ka shpjeguar: “Nuk më kanë telefonuar nga Madridi. Nuk e di se çfarë do të bëja nëse do të më kërkonin, nuk e kam menduar. E kam shumë të qartë vendimin. Jam shumë i lumtur këtu, tani më duhet të vuaj me Real Madrid si tifoz”.

Më tej, Nacho Fernandez vazhdon: “Për mua situata ishte shumë e qartë kur u largova. Kur një person ndjen se i ka ardhur koha, nuk duhet penduar për vendimin që ka marrë. E dija se çfarë po bëja dhe qëndroj i vendosur në këtë vendim. Jam shumë i kënaqur me vendimin që kam marrë”.

Unë kam disa klauzola të lirimit, por as nuk e konsideroj idenë që të më paguajnë një klauzolë. Tani është më e lehtë për mua, por në fillim më tronditi kur pashë Real Madrid në televizion, më dukej e çuditshme. Gjithsesi, nuk pendohem aspak për vendimin, tani e mbështes Real Madrid si tifoz”, tha Nacho Fernandez.

Ai ka një këshillë për Florentino Perez: “Unë do të doja që ata të mos rekrutojnë askënd dhe të fokusohen te të rinjtë. Vetëm atëherë do ta dinë nëse janë gati. Ata duhet të kenë një mundësi, karriera e tyre ka nevojë. Një ditë tjetër, Asencio luajti një ndeshje të shkëlqyer. Nëse klubi dhe trajneri janë të guximshëm, ky është momenti perfekt”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit