Kur na ndajnë edhe 3 ditë nga ndeshja e shumëpritur ndaj Anglisë, e para për kualifikueset për Kupën e Botës 2026, trajneri Sylvinho ka vendosur rregulla strikte për futbollistët e Kombëtares.
Në transfertën në Londër, Sylvinho ka dhënë urdhrin e prerë që çdo lëvizje e futbollistëve do të bëhet vetëm me lejen e stafit teknik. Gjatë akomodmit në hotel, lojtarët e kanë të ndaluar të konsumojnë kafe apo dhe thjesht të takojnë familjarët apo miqtë e tyre në holl, siç ka ndodhur rëndom deri më tani.
Po ashtu, Sylvinho ka vendosur që futbollistët duhet të rrijnë në dhomë për të pushuar dhe nuk do lejohet me dalja pas orës 22:00 të darkës. Nëse dikush prej lojtarëve kërkon të dalë për të marrë ajër të pastër, apo të shkojë në pishinë apo SPA, duhet ta bëjë vetëm me lejen e stafit teknik.
Këto rregulla do të jenë të vlefshme përgjatë gjithë eleminatoreve. Kujtojmë që pas Anglisë, Shqipëria do të përballet me Andorrën tre ditë më pas, në një ndeshje ku nuk diskutohet fitorja.







