Nuk ndalet festa e Romës, delir në ‘Trigoria’. Lojtarët ngrenë kupën para tifozëve

26 Maj 2022
8:02
Alfred Lleshi
back button

Një natë pa gjumë për tifozët e Romës, që festuan trofeun e “Conference League”, të siguruar pas 1-0 ndaj Feynoord-it në finalen e Tiranës. Tifozët verdhekuq u dyndën në rrugë për të festuar një trofe që kishte munguar për 14 vite. Nga ‘Olimpico’ në ‘Ponte Milvio’, nga ‘Circus Maximus’ në ‘Colosseum’ dhe ‘Fiumicino’, ku rreth një mijë tifozë prisnin aterrimin e ekipit.

Megjithatë, Roma mbërriti me vonesë, në orën 04:45. Njëqind tifozë të Romës prisnin autobusin që mbërriti në ‘Trigoria’ në orën 05:15. Pellegrini mbante trofeun pranë shoferit, ndërsa të gjithë lojtarët e tjerë përjetësuan spektaklin e tifozëve me telefonat e tyre dhe nisën duartrokitjet e shumta.

Por festa nuk mbaroi me kaq, pasi pak më pas e gjithë skuadra u ngjit në tarracën e pallatit me pamje nga ‘Piazzale Dino Viola’. Kupa ishte natyrshëm protagonist. Secili lojtar parakaloi me trofeun duke bërë “olè”-në e tifozëve. Pellegrini mori fjalën: “Ky trofe është për ty, daje Roma!”

Më pas, gradualisht të gjithë lojtarët ngritën kupën para romakëve deri te José Mourinho, i cili falënderoi tifozët. Sot festa do të vazhdojë, Roma po organizon një event tjetër falënderimi për tifozët që e kanë mbështetur gjatë gjithë sezonit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit